As Teatri Kombëtar nuk i ka shpëtuar pranimit të stafit me konkurse të kurdisura. Express merr vesh se, megjithëse është shpallur një konkurs i hapur për aktorë të rinj, në ansamblin e aktorëve rezidentë, tashmë lista se kush është pranuar, e caktuar nga stafi politik në Ministri të Kulturës e Bordin e Teatrit, po qarkullon në mesin e komunitetit të aktorëve
Skandalit për punësim pa konkurs të hapur me përgjimet e Adem Grabovcit me prokurorë kosovarë po i bashkohen edhe institucionet kulturore.
Në parim, në Teatrin Kombëtar të Kosovës (TKK) mund të konkurrosh, por, për shembull, se kush do të përzgjedhjet në Ansamblin Rezident të Aktorëve të këtij institucioni tashmë është vendosur, ende pa u intervistuar kandidatët.
Audicioni për pranim edhe të katër aktorëve të rinj të këtij ansambli, pasi që katër të tjerë do të dalin në pension, është planifikuar për të mërkurën (nesër), por Express merr vesh që tashmë emrat e fituesve veç janë caktuar.
Si ka mësuar gazeta, aktorët e rinj që do të plotësojnë vendet në teatër janë Irena Cahani, Shengyl Ismaili, Besnik Krapi, Aurita Agushi dhe eventualisht Bujar Ahmeti. Kjo listë po qarkullon në mesin e komunitetit të aktorëve.
Siç merr vesh Express, kjo përzgjedhje është bërë nga stafi politik në Ministrinë e Kulturës, e udhëhequr nga ministri Kujtim Shala, njëherit edhe Zëvendëskryeministër nga radhët e LDK’së, si dhe nga anëtarët e bordit të TKK’së të dërguar nga ai.
Sidoqoftë, përgjegjësia në fund do t’i lihet jurisë së këtij konkursi.
Gazeta merr vesh se juria për këtë konkurs përbëhet nga Ilire Vinca, Trimor Dhomi, Kushtrim Koliqi, Shkelzen Veseli. Kryetar i jurisë është vetë drejtori artistik i TKK’së, Agon Myftari.
Express merr vesh që edhe vitin e kaluar kishte pasur parregullsi në pranimin e anëtarëve të Ansamblin Rezident të Aktorëve, ku ishte pranuar një numër prej dhjetë aktorësh, përfshirë dhe të tillë pa përvojë pune, të cilët veç sa i kishin përfunduar studimet.
Aktorët që janë pranuar vitin e kaluar në këtë trupë të TKK’së janë Semira Latifi, Majlinda Kosumovic, Albulena Kryeziu, Armend Baloku, Arta Selimi, Shkelzen Veseli, Teuta Krasniqi, Adrian Morina, Ylber Bardhi, Armend Ismaili.
Pranimi i aktorëve edhe pa përvojë kishte shkaktuar probleme serioze në TKK, ku regjisorët, për shkak të mungesës së aktorëve të pranueshëm për shfaqjet në TKK, ishin detyruar të marrin aktorë jashtë Asamblin Rezident të Aktorëve, ani pse të pranuarit marrin paga të rregullta mujore.
Kjo e kishte vënë në situatë të keqe edhe Ministrinë e Kulturës edhe TKK’në para Auditorit të Përgjithshëm, pasi që ata po krijonin shpenzime të dyfishta.
“Për realizimin e shfaqjeve janë angazhuar aktorë të jashtëm, derisa stafi i rregullt që paguhet për atë punë, nuk janë angazhuar fare në shfaqje”, thuhet në raportin e Auditorit të Përgjithshëm dhe ku ky institucion konstaton se “kjo shkakton shpenzime të dyfishta”.
Audtotori tutje thotë se ky është një rrezik me prioritet të lartë dhe konstaton se “pagesat e dyfishta, pagesat me para në dorë si dhe pagesat në mungesë të dëshmive për punën e kryer dëmtojnë transparencën dhe llogaridhënien dhe paraqesin shpenzime të parregullta”.