Blerim Shala, Këshilltar i Presidentit Thaçi, ka shkruar se kushdo që është përkrahës i Shtetit të Kosovës duhet të ketë edhe pro ratifikimit të demarkacionit në Parlament. Ka thënë se nëse dikush është përkrahës i Republikës nuk mund të jetë kundër ratifikimit të Marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi.
“Nuk ka kurfarë dyshimi më: Nuk mundesh me qenë përkrahës i shtetit të Kosovës, e të jesh kundër Ratifikimit të Marrëveshjes kufitare të Kosovës me Malin e Zi. Këtu nuk ka kompromis, nuk ka rrugë të tretë, nuk ka variant të ri”, ka shkruar Shala, në një kolumne në lajmi.net
Sipas tij, Kuvendi i Kosovës nuk duhet të veprojë ndryshe prej asaj që presin qytetarët e Kosovës. Ka thënë se kosovarët janë lodhur, mërzitur e dëshpëruar me lojërat politike.
“Dhe në këtë aspekt, Kuvendi i Kosovës, nuk do të duhej të vepronte ndryshe, pos në përputhje të plotë me vullnetin e qartë të qytetarëve të Kosovës, të cilët janë të lodhur, të mërzitur, të dëshpëruar, madje, gjithnjë e më të mllefosur me të gjitha lojërat politike (pa kufi, për një Marrëveshje kufitare), të cilat janë bërë dhe po bëhen tutje në Kuvendin e Kosovës”, ka shtuar më tej Shala.
Zyrtari i Presidencës së Kovës e ka krahasuar Shtetin e Kosovës me një pacient që shkon në Qendrën Emergjente.
“Derisa të mos zgjidhjet kjo temë, apo, derisa të mos Ratifikohet Ligji për Marrëveshjen kufitare në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, objektivisht, politika kosovare i përngjet një pacienti që është dërguar urgjentisht në Qendrën emergjente të QKUK-së”, ka shtuar ai.
Ratifikimi Marrëveshjes me Malin e Zi ende nuk është ratifikuar edhe pse ishte nënshkruar në vitin 2015 në Vjenë.
Së fundmi, partitë shqiptare me përjashtim të VV janë pajtuar ta ratifikojnë marrëveshjen por s’po i kanë 2/3 e votave të deputetëve. Janë duke e pritur edhe Listës Srpska për të dhënë votat në mënyrë që Marrëveshje të hyjë në fuqi dhe të liberalizohen vizat për kosovarët.