Në Kuvendin e Kosovës po mbahet interpelanca e kryeministrit Ramush Haradinaj, e kërkuar nga Grupi Parlamentar i LDK-së për rritjen e pagave.
Kryeministri Haradinaj para deputetëve ka thënë se paga e kryeministrit, ashtu siç është pa rritje, radhitet e 69-ta nga pozitat me paga të larta dhe kjo nuk i duket në rregull.
“Në listën e renditjes së nivelit të pagave, 69 zyrtarë tjerë marrin pagë më të madhe se kryeministri i Kosovës. Në bazë të renditjes së përgjegjësive, kryeministri i vendit dhe ministrat nuk mund të jenë numër 69”, ka thënë kryeministri.
Haradinajt s’i duket e arsyeshme që kryeministri i vendit apo kryetari i Këshillit Prokurorial të jetë të renditur aq poshtë me paga.
“Pres përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese. Sido që të jetë ai vendim ne do ta respektojmë, por është e habitshme indiferenca që ka ndodh në të kaluarën, leje kryeministrin apo ministrin por kryetari i KGJK-së ose kryeprokurori me lënë në vendin e 69 tregon orientimin tonë”, tha Haradinaj.
Sipas Haradinajt, përgjegjësit që bartin këto pozita duhet të reflektojnë edhe në paga.