Behgjet Pacolli me tu futur në sallën e Kuvendit kur pritej të niste seanca për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit, u duk paksa i nervozuar. Ai madje pati edhe një komunikim me ton të lartë me ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj. E arsyeja është devijimi i trasesë së autostradës Prishtinë-Gjilan, ku sipas Pacollit është ndryshuar pa dijeninë e tij derisa ai ishte jashtë vendit.
Është pikërisht Pacolli i cili në një prononcim për Indeksonline ka sqaruar gjithë ngjarjen duke thënë se ka pakënaqësi të mëdha në këtë projekt.
Pacolli ka shtuar se ai është i hapur dhe se sipas tij gjërat duhet të bëhen në mënyrë transparente dhe jo në mënyre tinëzare.
“Ka qenë arsyeja se unë jam njeri i hapur dhe gjërat duhet të bëhen në mënyrë transparente e dua transparencën. E kanë ndryshuar trasenë pa e diskutuar. Çështje publike është për arsye se unë nuk jam ai që blej toka, ai që spekuloj është një trase ekzistuese, zgjerimi i kësaj traseje do t’i kushtoj me pak buxhetit”, ka thënë Pacolli.
Sipas tij kjo çështje do të ketë zgjidhje dhe se ajo do të kthehet në normalitet pasi sipas tij origjinali i trasesë ka qenë zgjerimi i saj.
Ndër të tjerash Pacolli është pyetur nëse ka kontaktuar me ministrin Lekaj për këtë çështje pas diskutimeve sot në Kuvend. “Kemi biseduar me ministrin edhe për këtë çështje”, ka shtuar Pacolli.
Ai gjithashtu është deklaruar edhe për çështjen e demarkacionit, e cila as sot nuk pati zgjidhje në Kuvendin e Kosovës.
“Unë besoj se do të kryhet çështja e demarkacionit, është paraparë që të kryhet dhe qytetarët e kanë kuptuar se duhet të kryhet demarkacioni, në mënyrë që të përfitojnë kushtin e fundit që të lëvizin lirshëm”, ka përfunduar Pacolli.
Seanca për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi ka mbetur të shqyrtohet nesër në ora 10:00.