Afatet kalimtare për blerjen e futbollistëve – dimrit dhe verës – janë periudha kur ekipet mundohen të sjellin lojtarë kualitativ, por Federata Ndërkombëtare e Futbollit ka një ide tjetër, t’i “zhduk ato”.
Kështu së paku ka pohuar presidenti i organizatës më të madhe futbollistike, Gianni Infantino i cili edhe zyrtarisht ka treguar dëshirën për revolucionarizim të afateve të transferimeve të futbollistëve.
Ideja kryesore e numrit një të qeverisë së futbollit botëror është eliminimi i afatit kalimtar dimëror.
Infantino ka folur për revistën franceze, “L’Equipe”, ku ka pohuar se “kam për qëllim të vendosë edhe një limit për komisionet e agjentëve dhe ndërmjetësuesve, duke prezantuar edhe shumë maksimale të pagave për lojtarët, që pritet të llogaritet në bazë të të ardhurave të klubit”.
Ai më tutje ka pohuar se plani i tij parashikon “11 pika thelbësore” që duhen analizuar “derisa të garantohet integriteti i botës së futbollit, e kësisoj do të ketë më shumë transparencë dhe më shumë ekuilibër në konkurrueshmëri”.
Nëse ndodh kështu, atëherë do të kishim një revolucion të vërtetë në futboll.