Aktivitetet shtetërore për nderë të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës tashmë kanë filluar.
Në kuadër të këtyre aktiviteteve të cilat kanë nisur javën e kaluar dhe do të përfundojnë më 18 shkurt, në dhjetë komunat e Kosovës janë vendosur ikonat #kosova10, që janë edhe hashtag zyrtar i këtij dhjetëvjetori.
Edhe sheshet e Prishtinës tashmë janë dekoruar për nderë të vitit jubilar të shtetësisë së Kosovës. Aktivitetet kryesore pritet të zhvillohen më 17 shkurt, në datën zyrtare të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Në këtë ditë nuk do të mungojë as parakalimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës. Kështu ka mësuar Telegrafi nga burime brenda institucioneve të Kosovës.
Parakalimi i FSK-së për çdo përvjetor është bërë tashmë traditë që nga viti 2012, mirëpo kujtojmë se në vitin 2015 dhe 2017 nuk ka pasur parakalim të FSK-së nëpër sheshet kryesore.
Ndërkaq sot në kuadër të aktiviteteve për shënimin e përvjetorit të 10 të Pavarësisë së Kosovës janë paraparë të zhvillohen një sërë aktivitetesh.
Vizita e presidentit të Sllovenisë, shfaqja e filmit “Home Sweet Home” në Kino ABC, dhe koncerti në sheshin “Zahir Pajaziti” janë disa nga aktivitetet që janë paraparë të zhvillohen sot.