Ambasada e Austrisë në Kosovë ka reaguar pas raportimit në media se zëvendëskancelari austriak, Heinz-Christian Strache, ka thënë se Kosova është pjesë e Serbisë.
Ambasadori austriak në Kosovë, Gernot Pfandler, ka thënë se Austria s’ka ndryshuar qëndrim ndaj Kosovës, teksa Strache ka mohuar, nëpërmjet zëdhënësit të tij, se ka dhënë deklaratën kontroverse për gazetën serbe “Politika”.
“S’ka ndryshim të qëndrimit austriak karshi Kosovës”, ka shkruar ambasadori austriak në llogarinë e tij, në Twitter.
“Austria është një ndër vendet e para që e ka njohur Kosovën, dhe që atëherë është një prej mbështetëseve më të fuqishme të Republikës së Kosovës dhe të perspektivës së saj evropiane”, ka theksuar ai.
Reagimi i tij vjen pasi zëvendëskancelari i Austrisë u raportua të ketë thënë sot se Kosova është pjesë e Serbisë. Por, nëpërmjet zëdhënësit të tij, ai ka mohuar të jetë shprehur kështu për gazetën serbe “Politika”.
Deklarata se “Kosova padyshim është pjesë e Serbisë”, dhe një propozim prej tij, më herët gjatë ditës, për “të drejtën për vetëvendosje” për Veriun e Kosovës, nxitën shumë reagime në Kosovë.
Madje, Vjena zyrtare u detyrua të distancohet prej deklaratave të tij. Ministria e Jashtme e Austrisë i ka quajtur të pamatura këto deklarime të Strache.
E, reagimet në Kosovë dhe distancimi i shtetit të tij kanë vënë në lëvizje Kabinetin e zëvendëskancelarit austriak.
“Austria e ka njohur Kosovën si një prej vendeve të para. Austria përkrah perspektivën evropiane edhe të Kosovës edhe të Serbisë. Ky është orientimi i Qeverisë Federale dhe asgjë nuk ka për të ndryshuar”, ka thënë Glier, sipas gazetës Kurier.
“Kosova e pavarur është një fakt dhe realitet dhe Austria e ka njohur atë”, ka theksuar ai.