-5.7 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Schwarzenberg: Kosova të mos u ofrojë arsye shteteve për mosnjohje

Karel Schwarzenberg, një nga figurat kyçe në politikën çeke në disa dekadat e fundit, më ndërprenë qysh në fillim të bisedës tonë për 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

“Ka kaluar shumë kohë”, thotë duke qeshur, teksa bëhet gati të japë mendimin e tij rreth rrugëtimit të një shteti, të cilin kur shërbente si ministër i Jashtëm i Çekisë në vitin 2008, kishte vendosur ta njohë, megjithë kundërshtitë e fuqishme nga një pjesë e skenës politkës në vendin e tij.

Dhjetë vjet më pas, tani ai thotë se Kosova po shënon “zhvillime pozitive”, porse “ka ende shumë punë për t’u bërë” që Kosova të pranohet si vend i respektuar në politikën ndërkombëtare.

Përveç luftimit të korrupsionit dhe ndërtimit të infrastukturës – universiteteve dhe shkollave, siç i përmend ai – ish-diplomati, që aktualisht është deputet në Parlamentin e Çekisë, thotë se të gjithë shtetet duhet që të përballen me të kaluarën e tyre.

“Kur vie puna tek shtetësia, çdo vend përballet me vështirësi të mëdha, dhe nuk shoh arsye pse Kosova të përjashtohet nga ky rregull”, thotë ai në një bisedë me Radion Evropa e Lirë të zhvilluar në Pragë.

Në vitin 2008, vetëm dy ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ish-ministri Schwarzenberg kishte treguar vullnetin për ta njohur pavarësinë e saj.

“Ne do të shohim se sa vende evropiane do ta njohin Kosovën, dhe se si do të sillet Qeveria e Kosovës. Ne do ta marrim vendimin bazuar në këto fakte. Për këtë arsye nuk do të përmend ndonjë datë në veçanti – ne do të punojmë me fakte, dhe jo data”, kishte thënë ai më 19 shkurt të vitit 2008. (burimi: radio.cz).

Vendimi i tij ishte kundërshtuar nga disa parti politike, përfshirë edhe ish-presidentin Vaclav Klaus. Në fakt, edhe presidenti aktual i Çekisë, Milos Zeman, që u rizgjodh në këtë pozitë para pak javësh, e që konsiderohet si më i afërt me Rusinë, nuk njihet si mbështetës i pavarësisë së Kosovës.

“Por, shumica e popullit e ka pranuar pavarësinë. Kosova e pavarur nuk është problem për shumicën e çekëvë”, thotë tani Schwarzenberg. “Nuk është një problem politik”.

Si dipomat me përvojë, për Schwarzenberg nuk ka dilemë që njohjet ndërkombëtare janë të rëndësishme për një shtet.

Duke folur për pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën – Spanja, Greqia, Rumania, Qipro e Sllovakia –ai thotë se disa prej këtyre vendeve kanë “minoritete” të fuqishme, dhe nuk mund ta pranojnë parimin se një pjesë e qytetarëve të tyre mund ta shpallin pavarësinë.

Por, sipas tij, Kosova nuk duhet t’iu ofrojë “arsye” këtyre vendeve që ta shtyjnë vendimin e tyre për ta njohur pavarësinë.

“Do të ketë [mundësi për ndryshim në qëndrimin e këtyre shteteve] kur edhe arsyeja e fundit për ta shtyrë këtë vendim largohet. Siç ju thashë më herët, ju ende po ofroni arsye për t’iu mosnjohur. Dhe, sigurisht kur këto arsye të bëhen të papërfillshme dhe kur të keni marrëdhënie të plota me Beogradin, atëherë këto shtete do ta pranojnë”, thotë ai.

Por, sipas tij, e gjithë kjo mund të marrë kohë.

“Nuk është një gjë që mund të ndodhë qysh nesër”, thotë ai.

Mësimet që Kosova mund t’i marrë nga Çekia

Republika e Çekisë, e cila që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore kishte qenë nën influencën e ish-Bashkimit Sovjetik, konsiderohet si shtet i zhvilluar, me shifrat e papunësisë që nuk kalojnë 5 për qind. Vendi është anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

I pyetur rreth asaj se çfarë mund të mësojë Kosova nga përvoja e Çekisë, Schwarzenger thotë se vendet duhet të mësohen të flasin e të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën dhe të përballen me të kaluarën.

Si shembull, përmend marrëdhniet mes vendit të tij dhe Gjermanisë, dhe thotë se ka qenë një kohë kur çekët kryesisht kanë folur për krimet e nazistëve ndaj tyre “por ne nuk kemi folur shumë për çfarë u kemi bërë ne gjermanëve”.

“Kjo ka ndryshuar tani në 25 vjetët e fundit, dhe kemi dialog e bashkëpunim të suksesshëm me gjermanët. Sepse ata flasin për atë se çfarë kanë bërë, dhe ne tani flasim rreth asaj se çfarë kemi bërë në të kaluarën”, thotë ai.

Në këtë kontekst, i pyetur nëse Dhomat e Specializuara për të gjykuar krimet e mundshme të ish-pjesëtarëve të UÇK-së është mënyra për Kosovën të përballet me të kaluarën, ai thotë se “e vërteta” është rruga e duhur.

“Të flasësh dhe tentosh ta gjesh të vërtetën, edhe kur ajo është e pakëndëshme. Është e domosdoshme”.

“Shihni, kur gënjejmë për të kaluarën, e deformojmë edhe sjelljen tonë politike”, insiston ai.

Tutje, ai thotë se duhet të eliminohet korrupsioni dhe të zhvillohet vendi.

“Përqendrohuni tek zhvillimi i vendit, e më pak tek vetë statusi”.

“Nëse jeni të pasur e stabil si Zvicra, askush nuk do ta vë në dyshim statusin”, sqaron ai.

Anëtarësimi i Serbisë në BE pasi të përmbushen “të gjitha kriteret”

Schwarzenger ka një qëndrim të përzier sa i përket zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor në disa vitet e fundit.

“Disa hapa të duhur, por edhe disa të tjerë të gabuar”, shpjegon ai.

Në këtë rast, ai thotë se ka pasur probleme në Maqedoni për shkak të kontestit me emrin me Greqinë, që e kanë ngadalësuar integrimin në BE, por nuk ka pasur zhvillime të kënqashme as në Bosnjë. Qëndrim më optimist jep për Shqipërinë, ku thotë se ka pasur zhvillim mjaft të mirë.

I pyetur rreth mundësisë që Serbia dhe Mali i Zi të anëtarësohen në BE në vitin 2025 – ashtu siç është përmendur së fundi nga zyrtarë të lartë të Komisionit Evropian – ai thotë se një vend duhet të pranohet nëse i ka përmbushur të gjitha kriteret.

“Çdo shtet duhet të pranohet kur është gati. Kur BE thotë se një vend ka përmbushur të gjitha kushtet, atëherë duhet të pranohet”, thotë ai.

I pyetur nëse me përmbushjen e të gjitha kushteve nënkupton që Serbia duhet ta normalizojë plotësisht marrëdhënien me Kosovën, ai thotë: “Të thashë, nëse i përmbushin kushtet”.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img