Ai i bëri komentet gjatë një vizite në Komunën e Ferizajt.
Haradinaj tha se Qeveria do ta japë mendimin e saj në lidhje me nismën e nënshkruar nga 43 deputetë, por sipas tij fjala përfundimtare iu takon deputetëve.
Kryesia e Kuvendit, dje vendosi, që kërkesën e deputetëve për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, të inicuar nga 43 deputetë, ta dërgojë në Qeveri, duke kërkuar mendim. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se një vendimi i tillë është marrë në bazë të Rregullores së Kuvendit.
“Mendimi i Qeverisë nuk është fort i vlefshëm, sepse është mocion që buron nga parlamenti. Por Qeveria me respekt do t’i kryejë të gjitha procedurat që parashihen me këtë rast”.
Haradinaj tha se disa ministri duhet të japin “mendim” rreth nismës. “Atëherë, Kryesia ia kalon Parlamentit”.
“Në këtë rast, mendimi i qeverisë nuk është aq i vlefshëm sepse buron nga Parlamenti. Në njëfarë mënyrë, Parlamenti e ka në ‘pronësi’ këtë dokument”, deklaroi Haradinaj.
Qeveria ka një muaj kohë të japë një mendim për projektligjin. Sipas procedurave, nëse Qeveria kthen mendim pozitiv, atëherë projektligji futet në seancë.