Shqipëria ka qenë një nga vendet që ka udhëhequr lobimin për pranimin e Kosovës në instancat europiane dhe botërore në futboll.
Mirëpo, me pranimin e Federatës së Futbollit të Kosovës në UEFA dhe FIFA, tashmë marrëdhënia për talentet rrjedhimisht ndryshon.
Së fundmi, talenti Edon Zhegrova u bë “mollë sherri” mes dy vendeve, pasi trajneri i Kombëtares shqiptare, Kristian Panuçi, i bëri ftesë, ndërkohë që, në anën tjetër, ekipet kombëtare të Kosovës po presin përgjigje prej lojtarit në fjalë.
Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, ka shpjeguar marrëdhëniet mes federatave për talentet, duke i dhënë një mesazh trajnerit të ri të Shqipërisë.
Së fundmi, trajneri Panuçi ka bërë ftesë për Edon Zhegrovën. A është konsultuar trajneri i Shqipërisë me ju në lidhje me këtë rast?
Jo, nuk kemi pasur fare komunikim. Megjithatë, disa lojtarë po e keqpërdorin këtë mundësi. Për të mos thënë që shantazhojnë. Kjo, për faktin se Zhegrova është një talent dhe lojtar i ri, i cili është ftuar nga përfaqësuesja U-21 e Kosovës. Me sa duket, ai ka dashur që të ftohet menjëherë nga Kombëtarja A. Në anën tjetër, edhe trajneri juaj (Kristian Panuçi) duhet të kuptojë që këta janë futbollistë të lindur në Kosovë dhe nuk është lehtë.”
“Duhet të kemi një marrëveshje, pasi ne mund ta bllokojmë. Kjo, nisur edhe në bazë të statusit, ku duhet të ketë disa kritere për jetesën etj., etj., për të mos iu futur detajeve. Ajo që dua të them, është se trajneri i ri i Shqipërisë duhet të kuptojë se ne kemi kultivuar marrëdhënie të shkëlqyera me FSHF-në dhe herët e tjera duhet të ketë kujdes, që të lajmërojmë njëri-tjetrin.
A keni një plan konkret për t’ia propozuar Shqipërisë?
E kemi një plan konkret. Me zotin Duka kemi pasur bisedime shumë konkrete dhe të sinqerta duke e ruajtur strukturën e Kombëtares shqiptare. Për të qenë i sinqertë, edhe shumë lojtarë të Kombëtares shqiptare kanë pasur dëshirë për të luajtur me Kosovën, por është tashmë fakt që ata janë rritur me ngjyrat kuqezi. Pas zgjedhjeve, do të caktojmë shumë gjëra mbi detyrimet e secilës palë në të tilla çështje.