Avdullah Hoti, në qoftë se e synon pozitën e të parit të LDK’së do t’i duhet të luftojë pak më shumë me emrat si Agim Veliu, që qëndron stoik në udhëheqje, Lutfi Haziri që është më ambicioz, ose edhe Vjosa Osmani, si ndër më të votuarat e partisë. Nëse ai u bë kandidat për kryeministër sepse Mustafa e dëshironte këtë, tani në mungesë të kryetarit të LDK’së, të vjetërit e partisë, në homazhet që dje bënin, kishin eklipsuar tërësisht Hotin e bashkë me të edhe njerëzit e tjerë e Mustafës, të rinjtë e LDK’së si Lumir Abdixhiku, Driton Selmanaj e edhe Arban Abrashi.
Njëra prej datave në të shënuara për Lidhjen Demokratike të Kosovës është përvjetori i vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova. Përveç simbolikave të tjera, në këtë ditë, gjatë kohës kur bëhen homazhe të varri i Presidentit, ose kur vizitohet familja e Presidentit Rugova, dërgohen edhe mesazhe me anë të fotografive: Kush është afër liderit?
Aktivitetet e kësaj partie, dje, në mungesë të kryetarit Mustafa, i cili është në Gjermani për shërim, u morën nën kontroll nga Agim Veliu, Haki Rugova, Lutfi Haziri. Madje, i pranishëm ishte edhe Sabri Hamiti, i cili në zgjedhjet e fundit nuk kishte arritur që ta kalonte pragun për t’u zgjedhur deputet.
Në anën tjetër, Avdullah Hoti, që njihet si zëvendës i Isa Mustafës, e që para pak muajve ishte bartës i listës së kësaj partie, në të gjitha fotografitë e publikuara nga LDK, shihej i shtrydhur diku në periferi të ngjarjeve.
Isa Mustafa e kishte krahun e djathtë Avdullah Hotin në secilën pozitë që ai ka bartur dekadën e fundit, duke filluar nga pozita e nënkryetarit në komunën e Prishtinës, pastaj pozita e nënkryetarit e deri tash së fundmi si kandidat për Kryeministër. Kur ishte Kryeministër, Mustafa, Hotit ia besoi dikasterin më të rëndësishmin në qeveri, atë të Ministrit të Financave. Përgjatë funksionimit të Qeverisë, pikërisht puna e Ministrisë së Financave ishte ajo çfarë po krenohej më së shumti ish-kryeministri në mandatin që nuk zgjati shumë.
Kur qeveria ishte rrëzuar, në zgjedhjet e fundit Isa Mustafa nuk kishte kandiduar prapë për Kryeministër. Ai po e kërkonte një kandidat të ri. Në opinion përmendeshin Lutfi Haziri, Agim Veliu, Vjosa Osmani si emrat e mundshëm kurse Mustafa befasoi me emrin që kishte vendosur si pasues të tij. Ishte Avdullah Hoti, i cili dje ishte lënë anash.
Por, sic duket, Hotit, Mustafa, i ka krijuar një mbështetje të sigurt në karrierën politike, vetëm kur edhe ai është prezent dhe kur ai vendosë se kush mund e kush nuk mund të dalë në krye të partisë.
Në fakt, Avdullah Hoti nuk ishte i vetmi, nga ata që konsiderohen si njerëzit e Isa Mustafës, që dje ishte spostuar nga ujqërit e LDK’së. Kështu për shembull të vjetërit e partisë me gjasë i kishin harruar krejtësisht Lumir Abdixhikun, Driton Selmanin, Arban Abrashin.
Zgjedhjet e LDK’së për kryetar partie që janë të parapara të mbahen në vitin 2019, zgjojnë kureshtjen e të gjithëve se kush mund ta marrë kreun e partisë, marrë parasysh se ndryshe nga partitë e tjera, në LDK nuk ka një emër që ka të sigurt postin e kryetarit. Por, edhe këtu ka një listë prej tre a katër emrave të mundshëm e pretendues. E Hoti, në qoftë se e synon pozitën e të parit të LDK’së dhe nëse Mustafa s’arrin t’ia falë këtë post, atëherë atij do t’i duhet t’i luftojë pak më shumë me emra si Agim Veliu, Lutfi Haziri që është më ambicioz, ose edhe Vjosa Osmani, si ndër më të votuarat e partisë.