3.4 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

Rriten mospajtimet mes Kosovës dhe BE-së

Kosova po dështon në përafrimin e saj me Bashkimin Evropian dhe po dëmton raportet me institucionet e BE-së, thonë deputetë të partive politike në opozitë.

Në takimin e katërt të përbashkët të Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme me deputetët e Parlamentit Evropian, të mbajtur në Strasburg është bërë e ditur se nuk është arritur miratimi i konkluzave të përbashkëta në mes të Parlamentit Evropian dhe Kuvendit të Kosovës.

Mosmiratimi i konkluzave, sipas opozitës, ka ardhur si pasojë veprimeve të deputetëve të koalicionit qeverisës në Kosovë, të cilët kundërshtuan një paragraf të propozuar nga deputetët e Parlamentit Evropian, i cili u bënte thirrje liderëve politikë në Kosovë që të vazhdojnë të përkrahin funksionimin e Gjykatës Speciale për krime lufte.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani tha se nga bisedat që kanë zhvilluar me deputetët e Parlamentit Evropian është theksuar se Kosova nuk po i respekton parimet e sundimit të ligjit dhe obligimet ndërkombëtare.

“Ka qenë kërkesë e përbashkët e deputetëve të Parlamentit Evropian dhe kërkesa e tyre unanime që deklarata e përbashkët të përmbajë një paragraf lidhur më këtë çështje (Gjykatën Speciale), e cila do të siguronte që Kosova qëndron pranë obligime ndërkombëtare që i ka marrë”.

“Fatkeqësisht për shkak të qasjes tërësisht të papërgjegjshme të koalicionit qeverisës, për shkak se dështoi miratimi i atij paragrafi, deputetët e Parlamentit Evropian nuk ishin të gatshëm të miratojnë deklaratën në tërësi”, tha Osmani.

Ndërkohë, deputetët e koalicionit qeverisës thonë se Kosova është duke ecur me një ritëm të shpejtë në agjendën evropiane dhe se nuk ka asnjë dëmtim të raporteve me Parlamentin Evropian.

Nënkryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Time Kadrijaj nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se mosmiratimin i një konkluze të përbashkët nuk do të dëmtojë raportet e Kosovës me Parlamentin Evropian.

“Kosova gjithmonë ka miratuar një deklaratë sepse ka përafruar qëndrimet. Nëse shikohen vendet si Serbia apo Mali i Zi, që asnjëherë nuk kanë arritur të harmonizojnë një deklaratë të përbashkët, për Kosovën kjo është hera e parë që ka ndodhur dhe nuk do të thotë që kjo ka ndikuar në largimin e Kosovës me BE”, thotë ajo.

Qeveria e Kosovës, shton Kadrijaj, është e përkushtuar në agjendën e reformave ndërkombëtare dhe ka një ritëm të punës në përmbushjen e të gjitha obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit dhe agjendës evropiane.

Në anën tjetër, për deputeten e LDK-së, Vjosa Osmani, veprimi i deputetëve të koalicionit qeverisës është i dëmshme dhe i papranueshëm.

Sipas saj, kjo rezulton me dëmtimin e raporteve në mes të Kuvendit të Kosovës dhe Parlamentit Evropian dhe e paraqet Kosovën si vend që kundërshton parimet e sundimit të ligjit.

“Ne si LDK do të vazhdojmë që me çdo mjet të kundërshtojë veprimet e tilla që kanë për qëllim të dëmtojnë raportet me BE-në dhe institucionet e veçanta brenda BE-së. Po ashtu, ne kemi bërë një kërkesë për debat parlamentar lidhur më këtë çështje, pasi që është me interes jo vetëm të deputetëve, por edhe të qytetarët për hapat që po bëjnë deputetët e koalicionit qeverisës për të dëmtuar raportet me Parlamentin Evropian”, thotë Osmani.

Ndryshe, njohës të çështjeve evropiane vazhdimisht kanë theksuar se Kosova ndodhet shumë larg përmbushjes së kritereve që e përafrojnë atë me integrimin në Bashkimin Evropian.

Sfidë para shtetit të Kosovës, sipas tyre, mbetet sundimi i rendit dhe ligjit, reformat e brendshme, transformimi rrënjësor i politikëbërjes si dhe zhvillimi dhe funksionimi i institucioneve.

Ndërkohë, përfaqësues të Bashkimit Evropian kanë deklaruar tanimë se “BE-ja është gjithnjë e më e gatshme për të marrë në konsiderim anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në bllok”.

Sipas tyre, anëtarësimi i këtyre shteteve në BE do të siguronte paqe në rajon, ndërsa do të pasuronte edhe vetë BE-në.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img