Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka bërë padi ndaj Komunës së Prishtinës në maj të vitit 2017 duke konsideruar se Plani për “Mati 1” është i kundërligjshëm. Gjykata Themelore, deri më tani nuk ka marrë masë të përkohshme që të ndal dhënien e lejeve të ndërtimit në këtë lagjes deri sa të bëhet një Aktgjykim i lendes. Këtë mund ta bëjë vetëm pasi, Komuna e Prishtinës t’u jep një përgjigje më së largu deri në gjysme të muajit shkurt 2018.
“Lidhur me pretendimin se ka zvarritje procedurale në trajtimin e kësaj çështje administrative, ju njoftojmë se në trajtimin e lëndëve administrative janë në prioritet lëndët e vjetra, prioritet ndonëse procedimi i çështjes lidhur me këtë padi është bërë pa asnjë vonesë (siç vërehet nga shkesat e lëndës) dhe vonesa e pretenduar për masën e përkohshme është pasojë e faktit që Gjykata është në pritje të përgjigjes në padi nga pala e paditur (dërguar më 15.01.2018). Sipas LKA pala e paditur ka 30 ditë në dispozicion për të dërguar përgjigje në padi dhe Gjykata është e detyruar që të veproj sipas afateve të përcaktuara ligjore”, tha për lajmi.net, Mirlinda Gashi, zyrtare për Informim në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Komuna e Prishtinës nuk ka dashur të japë përgjigje lidhur më atë se kur do t’i kthejë përgjigje gjykatës dhe se cila do të jetë ajo.
MMPH, ka ngritur padi për hapjen e Konfliktit Administrativ, në Gjykatën Themelore në Prishtinë përkitazi me ligjshmërinë e Vendimit Nr.01.Nr.031-1678, datë 20.07.2011, të Kuvendit të Komunës së Prishtinës, për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ndryshimit dhe Plotësimit të Vendimit të Planit Rregullues të lagjes “Mati 1”, pasi që MMPH dhe Komisioni i përbashkët MMPH-MAPL, për mbikëqyrjen e ligjshmërisë së akteve të kuvendeve komunale, ka vepruar me kohë lidhur me këtë çështje dhe përkundër kësaj Komuna e Prishtinës, nuk ka zbatuar rekomandimet e kërkuara nga ajo.
MMPH-ja që në vitin 2013 ka konsideruar që Plani i plotësuar dhe ndryshuar për lagjen “Mati 1” ishte bërë në kundërshtim më disa dispozita ligjore dhe me Ligjin për Planifikim Hapësinor, andaj kishte kërkuar që Drejtoria e Urbanizmit të pezullojë lejet dhe Kuvendi Komunal të rregullojë shkeljet.
Por, që nga viti 2012 e deri më sot leje të lëshuara janë rreth 120, shumica prej tyre të lëshuar nga administrata e Shpend Ahmetit, të cilat kanë të bëjnë më ndërtimin e objekteve shumëbanesor-afarist dhe të cilat janë lëshuar në bazë të Planit Rregullues të reviduar në vitin 2011 (kontestues).
Një grup i qytetarëve, e kishte aktualizuar çështjen e Plani “Mati 1”, pasi kishin filluar disa ndërtime në brezin e gjelbëri në Rrugën “B”, vend ky i cili sipas Planit rregullues të parë, parashihte gjelbërim, ndërsa plani i reviduar, parashihte ndërtim.
Qytetarët dhe profesionistët janë të sigurt se Komuna ka vepruar kundërligjshëm dhe presin që gjykata të vendos shpejtë për rastin në fjalë që të mos dëmtohen qytetarët.
“Ne si grup qytetarësh dhe nënshkrues të peticionit ku jemi 150 jemi profesionistë dhe ekspertë të profesioneve të ndryshme si arkitektë, inxhinierë, juristë, avokatë, ekonomistë, sociologë jemi më se të sigurt në këtë rast dhe nuk ka dilema sepse është vërtetuar më të gjitha provat, faktet dhe ligjet janë në favor të paditësit dhe se besojmë se gjykata do të vendos shumë shpejtë në favor të paditësit sepse është vërtetuar se Komuna ka vepruar kundërligjshëm. Besojmë se vonesa në vendosje nga gjykatë është shkaktuar shkaku i ndërrimit të gjykatësit për rastin në fjalë. Pra. s’ka si të vendoset ndryshe përpos sipas ligjit e që është në favor të paditësit”, tha për lajmi.net, Valdet Osmani, përfaqësues i banorëve, njëherësh edhe ekspert i urbanizmit dhe sektorit te ndërtimit.
Ndërkaq, sipas njoftimeve të Komunës së Prishtinës, leja e fundit e lëshuar në këtë zonë është bërë në fund të muajit dhjetor. Por, kontestuese për banorët është vetëm pjesa gjelbëruese, ku janë dhënë rreth 5 leje, pasi pjesët tjetër përkojnë në të dy planet.