Visar Ymeri ka folur për arsyet që e ndanë Vetëvendosjen në dy krahë, në atë të Albin Kurtit dhe në krahun e Dardan Molliqajt.
Ish-kryetari i Vetëvendosjes Visar Ymeri ka treguar se si kanë nis përçarjet në këtë parti. Ai ka treguar se Albin Kurti, i cili tani po synon rikthimin në krye të VV’së kishte kundërshtuar kandidimin e Dardan Molliqajt për deputet.
“Reagimi im vjen si rrjedhoje e një mospajtimi të thellë që kam me një organizatë të tillë”, tha Ymeri.
Sipas Ymerit, ish-sekretari i VV’së nuk kishte synim për të rivalizuar Kurtin politikisht.
“Nuk mendoj që e ka parë si rival politik. Nuk mendoj që ka pasur asnjë lloj arsye për asnjë lloj paniku që u krijua nga Albin Kurti”, tha Ymeri.
Nga Lëvizja Vetëvendosje, nga postet e larta drejtuese, tashmë kanë dhënë dorëheqje personalitete të njohura politike duke përfshirë kryetarin Visar Ymeri, nënkryetarin Dardan Sejdiu dhe anëtarë tjerë të këtij subjekti politik.
Zyrtarët e mbetur në kryesinë e Lëvizjes Vetëvendosje, më herët kanë mohuar se ka përçarje dhe fraksione brenda Lëvizjes Vetëvendosje, duke i cilësuar ato vetëm si mospajtime.
Ndërkohë, Albin Kurti është kandidat i vetëm për kryetar të VV’së në zgjedhjet partiake që pritet të mbahen muajin e ardhshëm.