Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi ka reaguar lidhur me iniciativën që të zhbëhet Gjykata Speciale.
Sipas tij, ka ardhur koha që të ecim përpara dhe kushdo që duhet të pastrohet, le të pastrohet në dhomat e specializuara të drejtësisë në Hagë.
Krasniqi konsideron se ka ardhur poashtu që të jepet përgjegjësi politike, transmeton Indeksonline.
“Koha është që të ecim tutje edhe me ketë padrejtësi. Kushdo që duhet të pastrohet le të pastrohet në dhomat e specializuara të drejtësisë në Hagë! Koha po kërkon përgjegjësi politike, por, përgjegjësi politike siç po shihet ka vetëm aty ku ka kulturë politike e moral, por në rastin tonë mund të themi vetëm: Përgjegjësi e Moral ku je? Ku jeni strukur? Në cilën birë miu jeni futur?!”, ka shkruar mes tjerash ai.
Shkrimi i tij i plotë në Facebook:
PËRGJEGJËSI KU JE?
Kushdo që me vëmendje ka përcjell zhvillimet politike në Kosovë, nga Nata e Madhe (dhjetë ditëshi i fundit i vitit të vjetër), që deshi ta zhbëjë Gjykatën Speciale ( të krijuar bash nga ata që deshën ta zhbëjnë), e ka më shumë se të qartë se Kosovës i është bërë një dem goxha i madh, mbase edhe i pa riparueshëm.
Një gjë duhet ta dimë të gjithë e veçmas ata që e përgatiten ketë gjellë të ligë, se kjo çështje nuk mund të kalohet sikur nuk ka ndodhur asgjë. Nëse ata nuk e dinë ose nuk donë që ta dinë, atëherë në ketë vend duhet të krijohet një masë kritike, e cila masë nuk do të duhej të lejonte që askush më, të mos guxonte të luaj me fatin e këtij vendi e të këtij populli. Madje kushdo qofshin ata, qofshin dhe të parët e shtetit.
Bash ata që e krijuan ketë katrahurë politike, e kanë përgjegjësinë politike për krijimin e GJS, të cilën tinëzisht deshën ta zhbëjnë atë për të cilën kontribuuan shumë që të formohej. Po atyre po ua përkujtoj: kur në vitin 2014 po bisedonim për formimin e GJS në Ambasadën e SHBA-së e më pas në selinë e BE-së (në Prishtinë), e ku merrnin pjesë përfaqësuesit e partive politike parlamentare veç LVV-së, askush veç meje nuk e pat kundërshtuar themelimin e GJS. E në ato takime ishin: nga PDK, Hashim Thaçi e Hajredin Kuçi, nga LDK, Isa Mustafa e Ismet Beqiri, nga AAK, Ramush Haradini e Blerim Shala. Atëherë edhe ishte koha edhe për të kundërshtuar GJS e cila ishte dhe është padrejtësi e madhe. Por, kjo duhej të bëhej me kohë. Tani nuk është koha për një kundërshtim të kësaj natyre, sa tinëzar e po aq qyqar. Ju atëherë heshtet ose e miratuat në heshtje, tani nuk ka më kohë për kundërshti. Tani koha është për t’i pritur rrufet e Zeusit, sado përvëluese qofshin ato! Atëherë kërkonit të pastrohej UCK-ja, e cila ishte dhe është e pastër. Tani le të pastrohen edhe individët cilitdo qofshin ata, qofshin edhe ju të paret e shtetit.
Koha është që të ecim tutje edhe me ketë padrejtësi. Kushdo që duhet të pastrohet le të pastrohet në dhomat e specializuara të drejtësisë në Hagë! Koha po kërkon përgjegjësi politike, por, përgjegjësi politike siç po shihet ka vetëm aty ku ka kulturë politike e moral, por në rastin tonë mund të themi vetëm: Përgjegjësi e Moral ku je? Ku jeni strukur? Në cilën birë miu jeni futur?!
Një gjë duhet ta keni të qartë ju gjellëbërësit e kësaj gjelle të ligë, Shteti kështu nuk udhëhiqet! Sa më shpejtë që t’i lironi institucionet e shtetit, aq më mirë do të jetë për vendin e kombin!
Le të shpresojmë që Drejtësia është e standardeve euroatlantike! Demi tani më, Republikës sonë veç i është bërë nga udhëheqjet e këqija!