Kryetari i Këshillit Kombëtar i Nisma për Kosovën, Jakup Krasniqi u është drejtuar me një porosi miqve të tij në politikë.
Ai përmes fjalëve të popullit u ka dhënë atyre mesazhe rreth politikës dhe pushtetit, përcjellë Indeksonline.
“Kullat prej rëre bien vet”, ka shkruar ish kreu i Kuvendit të Kosovës, andaj u ka kërkuar udhëheqësve të shtetit që ta ndërtojnë vendin nga siç e quan ai “material i fuqishëm” dhe jo nga rëra.
Ky është komenti i plotë i Krasniqit në Facebook:
Porosi për miqtë:
KULLAT PREJ RËRE BIEN VET!
Kur dikush bënte punë koti, populli i thoshte: “Mos mbaro petulla në ujë”! Diku tjetër thuhej:
“Mos prashit në ujë”! Ose edhe “Mos gri ujë në havan”! Havani përdorej për grirjen e duhanit.
Secila nga këto urti popullore, ishin porosi për njerëzit që mos të bënin punë se koti.
Është edhe një punë goxha se koti, por që në dukje të parë, mendon se po ndërton KULLA e KALA, por mjafton një rigë e vogël shiu, që zhbë çdo gjë të ngritur me rërë. Nga kjo ka mbetur edhe fjala: “Mos ndërto kulla më rërë”!
Janë edhe disa gjera, me te cilat mund të bësh diçka, por punët e mira nuk bëhen dot, siç janë: “Dasmë me edha nuk behet” ose “stan me lepuj nuk behet”. Disa punë njerëzore kanë kërkesa të veçanta, ato mund të bëhen vetëm me njerëzit të veçantë e që kane integritet. Koha jonë është në kërkim të njerëzve me integritet e dinjitet apo siç themi ne, “njerëz të fjalës e të besës”!
E njerëzit kur donë të mashtrohen, i harrojnë porosit popullore dhe vazhdojnë të bëjnë punë koti! Duke thënë: “ inshalla – mashalla”!
Një gjë ishte dhe është e ditur, Kullat prej rëre bien vet!
Kulla ndërtoni se vendi ka nevojë, por, ndërtoni me material të qëndrueshëm, prej guri e graniti!