Kryeministri Ramush Haradinaj dhe Kryeparlamentari Kadri Veseli kanë marrë ftesa zyrtare për të qenë pjesë e Lutjeve të Mëngjesit që mbahen më 4 shkurt në Washington.
Këtë e kanë konfirmuar zyrtarët e Qeverisë dhe të Kuvendit. Në Presidencë nuk kanë folur nëse ka ftesë edhe Hashim Thaçi për të shkuar në Amerikë. Kanë thënë se do të japin përgjigje të martën e ardhshme.
“Po, kryeministri ka marrë ftesë. Ai është i ftuar që të marrë pjesë e kjo mbahet në shkurt”, ka thënë Këshilltari i Kryeministrit Haradinaj, Avni Arifi për Express.
E ftesë për pjesëmarrje në këtë ceremoni tashmë ka marrë edhe kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Ftesa tashmë gjendet në duart e Veselit, bën të ditur Express.
Zyrtarë nga kabineti i Veselit nuk e shohin problem pajisjen me vizë amerikane. Thotë se kryetari Veseli çdo herë është pajisë me bizë. Sipas tyre Kadri Veseli po i shqyrton mundësitë për pjesëmarrje në këtë ceremoni.
“Kryetari Veseli çdo here është pajis me vizë amerikane. Bile siç e dini është i vetmi lider nga Kosova që ka takuar presidentin amerikan Donald Trump. Sa i përket vizitës për lutjet e mëngjesit, kryetari ka pranuar ftesën dhe sa i përket pjesëmarrjes, do të ketë koordinim me agjendën e paracaktuar”, kanë thënë për Express nga kabineti i kryetarit Veseli.
Ndërkohë, ende nuk dihet nëse presidenti Hashim Thaçi ka marrë ftesë për të qenë pjesëmarrës në këtë cermenoni. Nga zyra e Thaçit i kanë thënë Express’it se për këtë punë do të japin përgjigje të martën.
Lutjet e Mëngjesit do të jenë një test i Amerikës për tre liderët e Kosovës, Thaçin, Veselin e Haradinajn, të cilët po vazhdojnë iniciativën për zhbërjen e Gjykatës Speciale.
Sidoqoftë, çdo vit bëhet një garë e heshtur midis politikanëve ballkanikë se kush do të ftohet në Lutjet e Mëngjesit në Uashington, një ngjarje e organizuar nga dy partitë në Kongresin Amerikan ku merr pjesë edhe presidenti Trump.
Vitin e kaluar, pikërisht në këtë kohë, bashkëshortja e Ramush Haradinajt, Anita, kishte bërë të ditur se ajo bashkë me familjen kishin marrë vizat për të udhëtuar drejtë ShBA’ve për të qenë pjesëmarrës në ceremoninë e Lutjeve të Mëngjesit e cila për çdo vit organizohet në Uashington nga Kongresi Amerikan. Por në atë kohë, Ramush Haradinaj, në cilësinë e kreut të AAK’së, nuk kishte mundur të jetë pjesëmarrës ngase po mbahej në Francë sipas një fletarresti të lëshuar nga ana e Serbisë.
Sot Haradinaj gjendet në liri, por gjasat që ai në cilësinë e kryeministrit të vendit ta përfaqësojë Kosovën në Uashington nuk janë të mëdha. Ai është në pritje të vizës nga ana e Ambasadës Amerikane. Ndonëse mediat vendore kanë raportuar se e njëjta i është refuzuar atij nga ana e ambasadës.
Por, ka qenë vet kryeministri Haradinaj i cili mbrëmë pas mesnatës në një postim në facebook ka shkruar se është në pritje të procedurave për marrjen e vizës për të udhëtuar drejtë ShBA’së.
Lajmi.net ka raportuar mbrëmë se kryeministrit Haradinaj dhe bashkëshortes së tij i është refuzuar viza amerikane.