Dardan Sejdiu, në shenjë proteste ndaj zhvillimeve të fundit në lëvizjen Vetëvendosje ka dhënë dorëheqje të parevokueshme. Në letrën e tij të dorëheqjes, ai kritikon dy taboret brenda lëvizjes dhe informon të gjithë aktivistët e kësaj lëvizjeje për vendimin e tij.
Lexoni më poshtë letrën e tij të plotë:
Të nderuara aktiviste e aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!,
Të nderuar anëtarë të Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!,
I nderuari Ismajl Kurteshi, Sekretar Organizativ i Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Më lejoni që fillimisht t’u falenderoj për punën dhe angazhimin e përbashkët në Lëvizjen VETËVENDOSJE! Përkundër dallimeve hera herës, në VETËVENDOSJE! kam parë vazhdimisht potencialin dhe zemërgjerësinë individuale e kolektive për t’i zgjidhur problemet e dallimet me të cilat jemi ballafaquar.
Ka kohë që ballafaqohemi me një problem brenda Lëvizjes VETËVENDOSJE!, problem për të cilin kam qenë i informuar në intervale të ndryshme kohore dhe atë vetëm pjesërisht, e i cili kohëve të fundit ka fituar një intensitet të shtuar e mediatizim të dëmshëm.
Me këso shpërthime nuk jam pajtuar, e as nuk mund të pajtohem. Pavarësisht se çfarë mendojnë aktivistët e përfshirë, kjo nuk i shërben të mirës së askujt e aq më pak organizatës sonë. Kjo vetëm se e dëmton më shumë Lëvizjen VETËVENDOSJE!
Në mbledhjen e fundit të Kryesisë bashkë me Grupin Parlamentar kemi diskutuar për këtë problem. Fatkeqësisht nuk kam parë sinqeritetin e duhur dhe seriozitetin e domosdoshëm për zgjidhjen e problemit. Kjo u dëshmua edhe me shkeljen e menjëhershme të një dakordance fillestare, të thjeshtë por të domosdoshme të cilën e arritëm në mbledhje, dhe e cila na obligonte të gjithëve që të përmbahemi nga ofendimet, shpifjet, insinuatat, e të ngjashme përmes rrjeteve sociale, ndaj njëri-tjetrit.
Gjatë mbledhjës, por edhe menjëherë pas mbledhjes së Kryesisë me GP e veçanërisht të nesërmen e saj, ky vendim i përbashkët dhe kërkesa publike e kryetarit Visar Ymeri dhe sekretarit organizativ Ismail Kurteshi, e bërë menjëherë pas kësaj mbledhje, u shpërfill.
Pak ditë më vonë u thirr një mbledhje e Këshillit të Përgjithshëm, e që për mua ishte nje mundësi e mirë për të trajtuar e tejkaluar problemet. Fatëkeqësisht, as kjo mbledhje nuk u përdor për diskutim mbi idetë dhe rrugën përpara. Përsëri, sinqeriteti i duhur dhe serioziteti i domosdoshëm munguan.
Dje, me datën 3 Janar 2018, i është bërë ftesë Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, për të mbajtur mbledhje sot me datën 4 Janar 2018. Për mbajtjen dhe organizimin e kësaj mbledhje të kryesisë nuk jam konsultuar, e as informuar për rendin e ditës, ndonëse pas dorëheqjës së Visar Ymerit nga pozita e Kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, nënkryetari i parë i Lëvizjes VETËVENDOSJE! me statut të organizatës ushtron rolin e Kryetarit deri në zgjedhjen e kryetarit të ri. Për më tepër, për këtë ftesë fillimisht jam informuar nga konferenca për media e organizuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, më pastaj nga kolegët në kryesi, e krejt në fund më është dërguar nje email dhe sms formal informues për këtë mbledhje.
Përkundër korektësisë dhe vullnetit tim, e shumë të tjerëve, për të kontribuar në zgjidhjen e problemeve të brendshme, ndonëse për këtë problem po e përsëris kam qenë i informuar vetëm pjesërisht, thirrja e mbledhjës së kryesisë duke shpërfillur në tërësi ushtruesin e detyrës të Kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, dëshmon për mua përfundimisht mungesën e seriozitetit dhe sinqeritetit të duhur për tu ballafaquar me problemet tona të brendshme dhe tejkalimin e tyre në mënyre racionale, kolegiale dhe në të mirë të organizatës tonë.
Kështu nuk duhet bërë politikë, dhe kjo mënyrë për mua është në thelb kundër idesë së bashkëpunimit e mirëbesimit të duhur minimal që siguron ecje përpara.
Secili nga ne është pjesë e organizatës. Secili nga ne e ka meritën e caktuar për kontributin e dhënë gjatë kohës sa jemi të angazhuar në VETËVENDOSJE! dhe secili nga ne e ka përgjegjësinë karshi situatës dhe obligimin që këtë përgjegjësi ta shndërrojmë në vepër. Rrjedhimisht, secili nga ne duhet të jetë i gatshëm që të bëjë çmos të ruaj unitetin e organizatës, në mënyrë që ta krijojmë hapësirën e nevojshme dhe të domosdoshme për të ecur para.
Për mua, demokracia nuk është vetëm procedurë. Demokracia nuk përfundon në nenet statutore. Demokracia zhvillohet e kultivohet përditë. Sikurse që nënshtrati i zhvillimit duhet të jetë një rrjet social që siguron mbrojtje dinjitoze për secilin, ashtu edhe për demokracinë nënshtrati është fryma në të cilën ndodh zbatimi i neneve statutore, e pra procedura bëhet kuptimplotë dhe në funksion të kultivimit të demokracisë.
Si pasojë, kam vendosur që nga sot të jap DORËHEQJE të parevokueshme nga të gjitha pozitat e mia drejtuese në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, nga posti i Nënkryetarit të Parë të Lëvizjes, nga Kryesia e Lëvizjes, dhe nga anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes. Veprimin tim politik do ta vazhdoj si deputet dhe anëtar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe në përputhje me bindjet e mia.
Gjithashtu, më lejoni t’iu informoj që nuk do të garoj në zgjedhjet e brendshme, kurdo qofshin ato, për të qenë anëtar i Këshillit të Përgjithshëm e as për ndonjë pozitë në kryesi të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Me nderime,
Dardan Sejdiu