-5.7 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Hamza: Do të ketë përshpejtim të trendëve ekonomikë

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se në vitin 2018 mund të arrihet ritmi i rritjes ekonomike në përputhje të parashikimeve të institucioneve ndërkombëtare për rritje ekonomike deri në 6 për qind.

Ai ka theksuar se nga 1 janari i vitit 2018 të gjitha inputet dhe makineritë e prodhimit do të jenë të liruara nga tatimi doganor, të gjitha lëndët djegëse të përdorura në prodhim nuk do të paguajnë akcizë, ndërsa teknologjia informative do të jetë plotësisht e liruar nga tatimi doganor. Hamza në këtë intervistë ka përmendur edhe tri sfidat e punës së tij 100-ditëshe si ministër

“Epoka e re”: Z. Hamza, me çfarë u përballët në krye të Ministrisë së Financave?
Hamza: Sfida e parë me të cilën unë dhe ekipi im jemi përballur ishte nevoja e adresimit të obligimeve të prapambetura kontraktuale dhe ligjore për ta siguruar stabilitetin e financave publike. Trashëguam një buxhet që kishte prodhuar obligime në anën e shpenzimeve, por nuk kishte siguruar burime të nevojshme të financimit për t’u ballafaquar me këto obligime. Rastet konkrete përfshijnë buxhetimin e mbi 80 milionë eurove nga likuidimi i ndërmarrjeve shoqërore pa ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme ligjore që sigurojnë këtë burim financimi; nënbuxhetimin e fondeve të nevojshme për pagesën e veteranëve të luftës dhe pengesën ligjore për shtimin e këtyre fondeve; rritjen e numrit të punëtorëve pa mbulesë të nevojshme financiare si dhe obligime financiare nga një numër vendimesh të prera gjyqësore që janë mbajtur në sirtar. Si rezultat, për t’u përballur me këto obligime, është dashur të organizojmë në të njëjtën kohë dy procese: rishikimin e vonshëm të buxhetit ekzistues dhe përgatitjen e buxhetit të vitit vijues.
Sfida e dytë ishte rimëkëmbja e marrëdhënieve me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) pasi që programi paraprak skadoi pa u përfunduar. Përgjatë kohës që ne zhvilluam dy procese buxhetore, zhvilluam negociata intensive me Fondin dhe me sukses arritëm të rindërtojmë marrëdhënie kredibile duke harmonizuar qëndrimet për rishikimin e buxhetit dhe buxhetin e vitit 2018. Sfida e tretë ishte ndërmarrja e hapave konkretë në mbështetje të zhvillimit të sektorit privat. Nga kontaktet tona fillestare me komunitetin e biznesit, kishim mësuar se për tre vjet me radhë ky sektor ishte lodhur nga premtime për masa lehtësuese të cilat gjithmonë kanë përfunduar vetëm në diskutime. Në vend të shfrytëzimit të nevojave të biznesit për promovim politik, pa shumë bujë publike, ne vendosëm t’i ndërmarrim hapat më radikalë në mbështetje të sektorit privat që nga paslufta. Nga 1 janari i vitit 2018, të gjitha inputet dhe makineritë e prodhimit do të jenë të liruara nga tatimi doganor, të gjitha lëndët djegëse të përdorura në prodhim nuk do të paguajnë akcizë, ndërsa teknologjia informative do të jetë plotësisht e liruar nga tatimi doganor.

“Epoka e re”: Institucionet ndërkombëtare shprehën optimizëm për rritje ekonomike nominale deri në 6 për qind. Jeni optimist se do të arrihet kjo?
Hamza: Duke u bazuar në trendët që kemi parë gjatë vitit 2017 dhe zhvillimet e pritura për periudhën afatmesme, mendoj se ky nivel i rritjes është shumë i arritshëm. Ulja e mëtutjeshme e kostos kreditore dhe thellimi financiar, konsolidimi i ndërmarrjeve eksportuese dhe depërtimi në tregje të reja, rritja e prodhimit vendor në sektorin ushqimor, atij të përpunimit të drurit, korporatizimi gradual i sektorit të ndërtimtarisë, rritja e eksporteve të shërbimeve që ndikohet nga diaspora kosovare apo e shërbimeve të TIK-ut, siguria më e lartë e investimit, por edhe një pako e gjerë stimuluese nga investimi publik drejt zbutjes së pengesave për rritje (që shton në qarkullim të brendshëm 200 milionë euro fonde nga jashtë), janë të gjithë faktorë që nuk lënë dyshim për përshpejtim të trendëve të deritanishëm.
Për më shumë, nga perspektiva e Ministrisë së Financave, ky është vlerësim bazë që mund të tejkalohet nga potenciale të shumta për rritje më të lartë. Sipas vlerësimeve tona, vetëm projekti i ri i termocentralit e përshpejton rritjen me së paku 1.5 për qind mbi parashikimin e tanishëm. Megjithatë, duke qenë se qëllimi i Kosovës është të arrijë konvergjencë me vendet e Bashkimit e Evropian, duhet rritje edhe më e lartë për ta ndryshuar modelin e rritjes, për të gjeneruar punësim të qëndrueshëm dhe aktivizim në treg pune të popullsisë së moshës së punës.

“Epoka e re”: Pos termocentralit “Kosova e re”, cilët janë faktorët e tjerë që do të kishin ndikim?
Hamza: Kemi pritje të larta për ndikimin e masave lehtësuese tatimore për prodhim. Por, përveç politikës fiskale, po planifikojmë një agjendë radikale të reformave në politikën rregullative, për të cilën kemi pritje se do t’i ofrojë shtytje të thellë zhvillimit ekonomik. Nuk jemi të interesuar që me reformë të nënkuptojmë vetëm ndryshim ligjesh e ulje tatimesh. Ka ardhur koha që të instalojmë një kulturë performance që i bën procedurat publike të lehta dhe i jep qytetarit zë në vlerësimin e shërbimeve publike. Bazuar në kërkesat e qytetarëve dhe të bizneseve me të cilat jemi konsultuar deri tani, do ta reformojmë sistemin e administrimit të kthimeve tatimore duke siguruar kthim pa inspektim fizik, do t’i eliminojmë procedurat e panevojshme burokratike, do t’i standardizojmë inspektimet tatimore dhe doganore, në përgjithësi do ta ulim barrën administrative për përmbushjen e obligimeve tatimore. Në të njëjtën kohë ne e kemi vendosur si prioritet të lartë zgjerimin e Fondit për Garanci Kreditore si vegël për gjenerim punësimi pa shkaktuar ndërhyrje në ekonominë e tregut. Tashmë kemi arritur marrëveshje edhe me qeverinë suedeze për ta zgjeruar me 10 milionë euro linjën kreditore të këtij fondi, duke synuar që brenda periudhës afatmesme ky fond ta arrijë pesëfishin e kësaj shume. Me të do të krijohen vende pune në sektorë që kanë më pak qasje në financa, siç është bujqësia apo bizneset e reja.

“Epoka e re”: Edhe viti që lamë pas u karakterizua me rebalancë tregtare. Cilat janë pritjet e juaja sa iu përket rrjedhave makroekonomike për këtë vit?
Hamza: Ministria e Financave pret që viti të përmbyllet me rritje reale ekonomike mbi 4.3 për qind. Po shohim rimëkëmbje të shpejtë të eksportit dhe të investimeve, që pritet të vazhdojë edhe në periudhën afatmesme. Investimet e huaja direkte, remitenacat, të hyrat tatimore, kreditë dhe depozitat, importet e mallrave investive janë rritur mbi 6 për qind në terma nominalë. Sa i përket rebalancit tregtar, besoj se kemi të bëjmë me dy faktorë. Në njërën anë kjo rebalancë është reflektim i strukturës ekonomike, siç është mungesa e stokut industrial në vend dhe prania e nivelit të lartë të remitencave. Kjo është arsyeja pse rebalanci është shumë më i ulët se deficiti i llogarisë rrjedhëse në bilancin e pagesave. Në anën tjetër, përkundër një rimëkëmbje graduale, si vend kemi nivel të lartë investimesh që ngrehin kërkesën për import. Ne duhet të vazhdojmë të fokusohemi për ngritjen e kualitetit të investimeve që, të paktën, të sigurohemi se janë vënë bazat për ndryshimet strukturore afatgjata që mundësojnë zëvendësimin e importeve dhe rritjen e eksportit.

“Epoka e re”: Tani i referohemi raportit të tremujorit të dytë 2017 të BQK-së, ku borxhi publik ka shënuar rritje 15.3 për qind karshi periudhës paraprake. Cilat janë efektet multiplikuese të këtij borxhi?
Hamza: Borxhi publik në mënyrë implicite është i drejtuar në mbarëvajtjen e nivelit të lartë të investimeve publike, për çka shumë projekte janë në vijim. Deri në përfundim të këtyre projekteve, multiplikatorët fiskalë kanalizohen përmes angazhimit të fuqisë punëtore dhe kapitalit punues të sektorit privat. Megjithatë, në përfundim të këtyre projekteve multiplikatorët pritet të jenë më të lartë përmes shtimit të produktivitetit në ekonomi. Për shembull, për Rrugën 6, qeveria dhe Banka Botërore kanë vlerësuar se norma vjetore e kthimit ekonomik të brendshëm tejkalon 12 për qind në investim. Borxhi i jashtëm, sidomos për projektkredi, përcillet me multiplikatorë më të theksuar monetarë, duke rritur paranë në qarkullim.

“Epoka e re”: Krahas borxhit publik kemi edhe rritje të shpenzimeve qeveritare, ku primatin e rritjes e mbajnë shpenzimet për paga dhe mëditje në vlerë 274.2 milionë euro, që i bie se shteti po hynë në borxh për paga dhe mëditje në sektorin publik?
Hamza: Primatin e rritjes në buxhetin e vitit 2018, në baza reale, e mban rritja e shpenzimeve kapitale me 37 për qind krahasuar me vitin 2017, duke zënë 33 për qind të shpenzimeve buxhetore apo mbi 10 për qind të BPV-së. Sa iu përket pagave, Qeveria e Kosovës tashmë me një rregull fiskale ligjore mban raportin në mes të pagave publike dhe bruto prodhimit vendor në terma konstantë (rreth 9 për qind të BPV-së). Por, të mos harrojmë se ne kemi edhe rezerva buxhetore që tejkalojnë 4.5 për qind të BPV-së, që garantojnë mbrojtje nga tronditjet ekonomike. Prandaj, borxhi publik është i dedikuar për implementimin e politikës së përgjithshme buxhetore që buron nga programi qeverisës.

“Epoka e re”: Në vazhdimësi keni premtuar reformim ekonomik për fuqizim të sektorit privat. Çfarë mund të presim këtë vit?
Hamza: Ashtu siç theksova edhe më lart, lirimi, e jo shtyrja e Doganës dhe akcizës në lëndën e parë të prodhimit dhe makinerinë prodhuese, është reforma më radikale që pritet ta stimulojë sektorin privat. Po ashtu, këtë vit për herë të parë që nga paslufta do të ndërmerren hapa konkretë për zhvendosjen e mbledhjes së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar nga kufiri në vend. Këto reforma do ta ngrehin konkurueshmërinë e sektorit duke ulur kostot e ofertës, por edhe të konsumit dhe investimit (duke stimuluar kërkesën). Në të njëjtën kohë, ashtu siç theksova, presim mbështetje më të lartë për punësimin përmes ofrimit të qasjes në financa drejt sektorëve që kanë mungesë të tillë. Kjo do të mundësohet përmes shumëfishimit të fondit për garantimin e kredive. Po ashtu, do të ndërmarrim një agjendë të thellë reformash administrative që ulin burokracinë dhe garantojnë dhe sforcojnë administrim tatimor dhe doganor të paanshëm e të drejtë. Për fund, vitin e ardhshëm mund të presim se të gjitha këto reforma do të jenë të integruara në një ombrellë të agjendës sonë për formalizmin e ekonomisë, duke siguruar kështu funksionim më të mirë të ekonomisë së tregut.

“Epoka e re”: Ministër, në fund na flisni për letrat me vlerë. Sa ka qenë numri i ankandeve të letrave me vlerë dhe çfarë risish pritet të kemi këtë vit sa i përket këtij tregu?
Hamza: Ministria e Financave gjatë vitit 2017 e deri më tani ka mbajtur gjithsejtë 18 ankande. Detajet e të gjitha ankandeve publikohen në uebfaqen e Ministrisë së Financave. Risitë gjatë vitit 2018 në kuadër të tregut të Letrave me Vlerë të Republikës së Kosovës do të jenë me fokus në objektivin e zgjatjes së maturitetit të Letrave me Vlerë dhe diversifikimin e bazës së investitorëve. Ne vijim të kësaj do të emetojmë instrumente financiare të reja me maturitet më të gjatë (deri në 10 vjet) si dhe do të punojmë, përveç të tjerash, edhe në ndryshime legjislative për ta mundësuar aktivizimin e mëtutjeshëm të tregut sekondar. /Epoka e Re

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img