Nuk ndodh shpesh që një aleat i fuqishëm të kritikojë një kandidat për president në Shtetet e Bashkuara, duke e quajtur “të neveritshëm”, por presidenti francez Francois Hollande përdori pikërisht këtë term për të përshkruar “ekseset” e kandidatit republikan Donald Trump.
Në Gjermaninë fqinje, kancelarja Angela Merkel është treguar më diplomatike, duke thënë vetëm se ajo është duke ndjekur fushatën amerikane “me interes.” Por, ministri i jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier e ka quajtur zotin Trump një “predikues të urrejtjes”, ndërsa kryeministri italian Mateo Renzi i ka vendosur të gjitha shpresat te fitorja e kandaidates demokrate, Hillary Clinton.
Fushata e polarizuar presidenciale në Amerikë ka tërhequr vëmendjen edhe në Evropë. Udhëheqësit në Evropë po ndejkin me shqetësim dhe madje frikë komentet dramatike të zotit Trump në lidhje me NATO-n, armët bërthamore dhe emigracionin, thonë analistët. Ndërsa partitë populiste po përshëndesin kandidaturën e tij.
“Njerëzit në njëfarë mënyre janë mbërthyer si spektatorë disi të tmerruar”, thotë Ian Bond, drejtor i politikës së jashtme në Qendrën për Reformën Evropiane, me bazë në Londër. “Ata shpresojnë se çdo gjë do të përfundojë mirë, por e kanë të qartë se nuk kanë shumë ndikim në rezultatin e kësaj gare.”
Besueshmëri e ulët për zotin Trump
Një sondazh i bërë në qershor nga Qendra Pew për Kërkime, tregoi se vetëm nëntë për qind e evropianëve kishin besim në një presidencë të udhëhequr nga zoti Trump, në krahasim me 59 përqind për një presidencë nën zonjën Clinton, e cila njihet në Evropë nga vitet kur ajo ishte Sekretare e Shtetit.
Problemi kryesore i zonjës Clinton në mesin e votuesve amerikanë se ajo nuk mund të besohet, nuk është transferuar në Evropë. Në Francë, për shembull, akuzat për skandale nuk kanë penguar politikanët si ish-presidentin Nicolas Sarkozy nga përpjekjet për të kandiduar për president.
“Unë nuk mendoj se besueshmëria është një çështje aq e madhe në Francë në krahasim me Shtetet e Bashkuara”, thotë Paul Godt, një ish-profesor i shkencave politike në Universitetin Amerikan të Parisit. Në sistemin parlamentar të Evropës gjithashtu votuesit votojnë për partitë, thotë ai, në vend të individit.
Pas karrierës së saj disa vjeçare në diplomaci, zonja Clinton ka krijuar një avantazh ndaj rivalit të saj kur është fjala për udhëheqësit evropianë.
“Shumë prej tyre mendojnë se ajo është e besueshme, një bashkëbiseduese e qëndrueshme”, thotë analisti Bond. “Nga ky këndvështrim, çështja e besueshmërisë është një pengesë shumë më e madhe për zotin Trump në aspektin e marrëdhënieve të ardhshme me aleatët, se sa për zonjën Clinton”.
Mbrojta
Problemi i paqëndrueshmërisë del edhe më qartë kur është fjala për mbrojtjen. Qëndrimi i zotit Trump mbi çështjen bërthamore, përdorimin e armëve bërthamore, dhe sugjerimet e tij se vende të reja si Japonia dhe Koreja e Jugut duhet t’i shtohen listës së vendeve që zotërojnë armë të tilla, ka ngjallur shqetësim në këtë rajon, i cili ende kujton pasojat e Luftës së Ftohtë dhe ato sulmeve të fundit terroriste.
Vendet e Evropës Lindore, në veçanti, kanë reaguar me forcë kundër sugjerimit të tij se Shtetet e Bashkuara nuk mund të mbrojnë aleatët e NATO-s të cilët nuk japin kontributin e duhur financiar. Kritikët e tij gjithashtu janë të shqetësuar nga lëvdatat që ai i ka bërë presidentit rus Vladimir Putin dhe komentet mbi përfitimet nga lidhjet më të ngushta SHBA-Rusi.
Donald Trump gjithashtu ka kritikuar politikën e Gjermanisë ndaj refugjatëve në bazë të së cilës vitin e kaluar vendi mori gati një milion azilkërkues, duke parashikuar humbjen e kancelares Merkel në zgjedhjet ardhshme. Udhëheqësja gjermane nuk iu është përgjigur këtyre komenteve duke u thënë gazetarëve se ajo nuk dëshiron të “përfshihet në debatin amerikan.” Por Ministri i Jashtëm gjerman Steinmeier ka qenë më i hapur, duke e akuzuar zotin Trump si një nxitës të frikës.
Zoti Trump ka shkaktuar zemërim edhe në Britaninë e Madhe, ku parlamenti britanik ka hedhur në debat propozimin që atij t’i ndalohej hyrja në vend. Ministri i Jashtëm i vendit, Boris Johnson, në fillim të këtij viti e përshkroi zotin Trump, si një njeri të papërshtatshëm për të qenë president.
Udhëheqësit e kaluar që kanë ngjallur shqetësim
Miljarderi amerikan nuk është i vetmi kandidat në SHBA që ka ngjallur shqetësime në Evropë. Tri dekada më parë, shumë evropianë e shihnin republikanin Ronald Reagan thjeshtë si një tjetër yll të Hollivudit, pa përfillur dy mandatet e tij si guvernator i Kalifornisë. Demokrati Bill Clinton nga Arkansasi, në garën presidenciale të vitit 1990 shihej si një politikan pa përvojë dhe me prirje izoluese. Barack Obama, gjithashtu kishte pak përvojë, kur ai ishte kandidat për president tetë vjet më parë, si një senator i ri nga nga Ilinoi.
“Evropianët i kanë konsideruar prej kohësh amerikanët si mjaft naivë, kur është fjala për politikë,” thotë Godt. “Prandaj unë nuk mendoj se kandidimi i një personi të pakualifikuar për president i shqetëson ata shumë.”/ Zeri i Amerikes/