18.6 C
Pristina
spot_img

I arrestuari për terrorizëm në Kaçanik dyshohej për rastin të cilin e përmendi drejtori i Policisë

Njësia Kundër Terrorizmit në kuadër të Policisë së Kosovës ka zhvilluar një aksion mëngjesin e së premtes në Kaçanik ku janë arrestuar katër të dyshuar.

Të arrestuarit, dyshohet se janë të përfshirë në vrasjen e rreshterit Muhamed Lika, më 1 prill të këtij viti. Ata dyshohen për tri vepra penale: vrasje e rëndë në bashkëkryerje, pjesëmarrje në grupe terroriste dhe rekrutim për qëllime terroriste.

Në mesin e të arrestuarve në aksionin e sotshëm në Kaçanik është edhe Elmedin Raka.

Raka, është emër i njohur për organet e rendit. Ai ishte akuzuar për djegien e gjykatës në Kaçanik.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, kishte përmendur rastin e djegies së gjykatës në konferencën për media pas aksionit të parë të policisë ku u arrestuan shtatë persona.

Sipas Hoxhës, vrasja e rreshterit Lika, sipas hetimeve fillestare lidhej me detyrën e tij zyrtare.

Hoxha kishte përmendur dy raste: pamfletet e dhjetorit të vitit 2023 dhe djegien e Gjykatës Themelore në Kaçanik më 2024.

“Rreshteri ynë ka qenë në detyrë zyrtare kur kanë ndodhur këto raste dhe pastaj ka punuar në mbështetje të hetimeve të Policisë për zbardhjen e rasteve të mëhershme. Do të thotë, këta janë persona të dyshimtë të cilët kanë qenë më herët të arrestuar për pamfletet dhe djegien e Gjykatës”, kishte thënë Hoxha.

Raka, një pjesëtar i shoqatës dhe dy të miturit T.B. dhe V.T. (emra të njohur për redaksinë) ishin akuzuar dhe gjykuar për djegien e Gjykatës Themelore në Kaçanik. Ata ishin liruar nga akuzat në mungesë të provave.

Sipas aktakuzës së ngritur më 6 qershor 2024 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), i akuzuari Elmedin Raka me dashje dhe pas marrëveshjes paraprake me të miturit T.B., M.R,. dhe V. T., me qëllim të rrezikimit të rendit kushtetues, ka shkatërruar dhe dëmtuar instalime apo pajisje publike, duke qenë me bindje ideologjike vehabiste si dhe duke shpërfaqur urrejtje ndaj institucioneve shtetërore dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, më 13 mars 2024, rreth orës 03:42 minuta, kanë shkuar te objekti i Gjykatës Themelore Ferizaj – Dega në Kaçanik.

Tutje në aktakuzë, thuhet se i mituri T.B,. dhe i akuzuari Raka, duke përdorur forcën e kanë hapur derën e shkallëve emergjente, kanë arritur në katin e dytë të objektit dhe me një mjet (lloz) metalik kanë hapur dyert e dy zyrave të gjyqtarëve, ku në secilën zyrë kanë vendosur nga dy shishe me lëndë djegëse, ndërsa nga një shishe e kanë vendosur në hyrje të zyrave, e pastaj duke u larguar ua kanë vënë zjarrin shisheve, me ç’rast korridorin dhe zyrat e lartpërmendura i ka kapluar zjarri dhe janë shkatërruar tërësisht, duke vështirësuar funksionimin e shërbimeve publike.

Sipas aktakuzës, gjatë kësaj kohe të miturit V.T,. dhe M.R,. kanë bërë roje rreth objektit të gjykatës, e pastaj se bashku kanë ikur nga vendi i ngjarjes.

Deri më tani në Kaçanik janë arrestuar 11 persona, të cilët dyshohen për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img