Serbia ia ka ndalur vizitën ministrit të Kulturës të Kosovës, Hajrulla Çeku në Preshevë. Me masë të njëjtë, ka vepruar edhe Kosova, duke ia ndaluar vizitën në Kosovë, ministrit serb të Shëndetësisë, Zllatibor Llonçar.
Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, tha se kjo është hera e dytë që ministrit Çeku i ndalohet që të vizitojë Preshevën, një nga tre komunat në jug të Serbisë, të banuar me shqiptarë.
Sinani ka akuzuar autoritetet në Serbi se fshihen “pas një fasade pro-evropiane”, por vendime të tilla, sipas saj janë “akt i politikës nacionaliste serbe”.
Qeveria e Kosovës ende nuk ka reaguar lidhur me ndalimin e vizitës së Çekut, e as Serbia nuk ka dhënë ndonjë arsye për këtë.
Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë i Serbisë, Zllatibor Llonçar, po ashtu ka njoftuar se autoritetet në Kosovë ia kanë ndaluar kërkesën për vizitë në Graçanicë dhe Mitrovicë të Veriut.
Ai ka thënë se ka synuar që të takohet me punëtorët shëndetësorë në institucionet shëndetësore serbe – që konsiderohen ilegale në Kosovë.
Ai e ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se me këto ndalesa të vizitave “drejtpërdrejt po minon normalizimin e raporteve”.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës nuk i është përgjigjur ende pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse ka refuzuar kërkesën e Llonçarit për vizitë në Kosovë dhe pse.
Llonçar ka pretenduar se për vizitën e tij në Kosovë kishte pasur njoftim, siç kërkohet me marrëveshje.
Çështja e vizitave zyrtare mes Kosovës dhe Serbisë rregullohet përmes një marrëveshjeje të arritur në kuadër të dialogut për normalizim të raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Vizitat duhet të paralajmërohen përmes zyrtarëve ndërlidhës të Kosovës dhe Serbisë. Më pas, autoritetet në shtetet përkatëse duhet t’i autorizojnë ato.
Viteve të fundit, si Kosova, ashtu edhe Serbia kanë refuzuar kërkesat për vizita të zyrtarëve qeveritarë, por edhe të figurave fetare, teksa raportet mes dy vendeve janë të tensionuara.
Tensionet janë përshkallëzuar qysh në prill të vitit 2023, kur u zgjodhën kryetarët e rinj shqiptarë të katër komunave në veri, të banuara me shumicë serbe, raporton REL.
Tensionet kulmuan shtatorin e atij viti, kur një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një rreshter.
Po ashtu, vitin e kaluar kanali i Ibër-Lepencit në veri u sulmua me mjete plasëse. Për sulmet, Kosova ka fajësuar Serbinë, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në to.