Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka marrë pjesë në tryezën e organizuar nga Këshilli i Evropës, me titull “Konsistenca e Jurisprudencës dhe harmonizimi i praktikës gjyqësore”, në kuadër të Projektit “Mbështetje për Gjykatën Kushtetuese në zbatimin dhe shpërndarjen e standardeve Evropiane për të drejtat e njeriut”.
Në kumtesën për media të ZKPSH-së bëhet e ditur se duke folur për rëndësinë e konsistencës së jurisprudencës në sesionet e diskutimeve profesionale, ndër të tjera Kelmendi ka potencuar se mungesa e prokurorëve në raport me numrin e gjyqtarëve si pasojë e mosmbështetjes buxhetore nga ana e pushteteve të tjera ndikon në mospërmbushjen e parimit themelor të drejtësisë për një gjykim të drejtë, të pavarur dhe në afat të arsyeshëm, dhe se shkelë të drejtat e qytetarëve, të cilët me të drejtë presin efikasitet më të madh nga organet e drejtësisë.
Tutje, ai ka theksuar se mungesa e prokurorëve e bën edhe më sfiduese pjesëmarrjen në seanca gjyqësore dhe ndikon në efektivitetin e trajtimit të kallëzimeve penale dhe marrjen e veprimeve procedurale sipas afateve ligjore.
“Gjithashtu, U.D. Kryeprokurori i Shtetit ka deklaruar se zbatimi i kësaj konsistence dhe unifikimi i praktikave gjatë nxjerrjes së vendimeve gjyqësore ka efekt pozitiv në punën e Prokurorit të Shtetit për të krijuar praktika unifikuese edhe brenda sistemit prokurorial”, thuhet më tej në njoftimin e ZKPSH-së.