Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Lëvizjes Vetëvendosje për anulim të votave me postë dhe rinumërim të atyre në Skenderaj të bërë më 17.03.2025.
PZAP-ja ka njoftuar se e refuzoi si të pabazuar ankesën e LVV-së të paraqitur kundër KQZ-së për shpalljen e rezultateve përfundimtare për zgjedhjet, ku pati kërkuar që të anulohen rezultatet e votimit me postë për LDK-në dhe kandidatët e saj, gjithsej 18,933 vota dhe që këto të largoheshin nga rezultatet përfundimtare.
Po ashtu, refuzoi ankesën për manipulim të votave ndaj PDK-së, ku LVV-ja pati pretenduar se në vendvotimet në Skenderaj kandidati i PDK-së, Bedri Hamza, në shumicën e vendvotimeve ka marrë 94% deri 100% të votave dhe këtë e kishte quajtur të pamundur “që kandidatët për kryeministër të kenë 100% të votave në vendvotime të caktuara”.