Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka pasur kritika të ashpra në drejtim të lidershipit të Lidhjes Demkratike të Kosovës (LDK), duke thënë se e ka personalizuar LDK-në dhe se kjo ka ndikuar në rezultatin jo të mirë në këto zgjedhje.
Avdullah Hoti përmes një reagimin në rrjetin social Facebook ka thënë se LDK-ja ka marrë rezultat të dobët që nuk përputhet me pritshmëritë e LDK-së para zgjedhjeve dhe gjatë përgatitjes për 4 vjet opozitë.
“Por, rezultati për LDK-në nuk është i kënaqshëm. Nuk është as i përafërt me atë që kemi shpresuar pas katër vitesh përgatitje. Duket qartë se: (1) opozitarizmi që kemi bërë në katër vitet e fundit, (2) riorganizimi i shumë degëve të LDK-së pas zgjedhjeve të vitit 2021, (3) zgjedhjet e brendshme të LDK-së të vitit 2023, si dhe (4) programi, ekipi dhe qasja që kemi ofruar gjatë 30 ditëve të fushatës zgjedhore dhe disa muajve para fushatës, nuk mjaftuan për të bindur qytetarët”, ka shkruar ai, raporton Periskopi.
Sipas Hotit, disa prej problemeve më të theksuara kanë qenë ristrukturimi i LDK-së, të cilin ai e quan “selektiv”, si dhe distancimi nga LDK-ja e së kaluarës.
“Orientimi i lidershipit aktual për të bërë prerje të panatyrshme, si dhe distancimi nga e kaluara e lavdishme shtetformuese e LDK-së, pavarësisht sfidave e lëshimeve gjatë rrugëtimit të lidershipeve të kaluar, kanë zvetënuar besimin e elektoratit tradicional të LDK-së”, tha Hoti .
Hoti po ashtu e përmendi si problem të madh edhe personalizimin e partisë, duke përmendur personalizimin e fushatës, përbërjen e listës, renditjen e kandidatëve në listë për deputetë.
“Personalizimi i fushatës zgjedhore, përbërja e listës, renditja e kandidatëve në listë, paraqitja dhe favorizimi medial i një liste të ngushtë të kandidatëve të LDK-së, si dhe çështje të tjera para dhe gjatë fushatës, kanë dëmtuar kohezionin e brendshëm partiak, me gjithë përpjekjet e të gjithë neve për t’i tejkaluar ato pakënaqësi. Votimi disproporcionale në diasporë e ka rënduar dhe cenuar më tutje atmosferën kolegiale dhe bashkëpunuese brenda LDK-së”, ka shkruar Hoti.
Hoti thotë se për të kthyer besimin e anëtarësisë dhe elektoratit të gjerë, LDK-ja ka nevojë për lidership të ri.
“LDK-ja ka nevojë për një lidership me qasje ekipore, që është gjithëpërfshirës, me orientime të qarta politike të qendrës së djathtë, që mbledh rreth vetes profesionistë dhe e rikthen LDK-në në epiqendrën e profesionistëve më të mirë të Kosovës, siç ka qenë LDK-ja”, ka shkruar ai./Periskopi/
Reagimi i plotë pa ndërhyrje:
Falënderime dhe Reflektime për Procesin Zgjedhor
Me mirënjohje të thellë, falënderoj çdo qytetar për besimin në Lidhjen Demokratike të Kosovës, si dhe për përkushtimin tim për të qenë zëri juaj në Kuvendin e Kosovës. I siguroj të gjithë ata që ma besuan votën se do të jem një zë i fuqishëm dhe i pa kompromis në mbrojtje të interesave të secilit qytetar dhe të Republikës së Kosovës.
Dëshiroj të falënderoj strukturat e LDK-së për punën e bërë në këtë fushatë: kryesinë, kryetarët e degëve dhe të nëndegëve me strukturat e tyre, forumet e gruas dhe të rinisë, si dhe çdo anëtar të LDK-së në Kosovë e diasporë. Të gjithë kemi punuar aq sa kemi mundur dhe ditur për të siguruar besimin e qytetarëve në programin dhe ekipin e LDK-së.
Por, rezultati për LDK-në nuk është i kënaqshëm. Nuk është as i përafërt me atë që kemi shpresuar pas katër vitesh përgatitje. Duket qartë se: (1) opozitarizmi që kemi bërë në katër vitet e fundit, (2) riorganizimi i shumë degëve të LDK-së pas zgjedhjeve të vitit 2021, (3) zgjedhjet e brendshme të LDK-së të vitit 2023, si dhe (4) programi, ekipi dhe qasja që kemi ofruar gjatë 30 ditëve të fushatës zgjedhore dhe disa muajve para fushatës, nuk mjaftuan për të bindur qytetarët.
Prandaj, duke ju falënderuar secilit, kërkojmë nga ju mirëkuptim që nuk kemi arritur të organizohemi sa dhe si duhet për të marrë një besim shumë më të madh qytetar, siç besoj se mund të sigurohet me një organizim tjetër të LDK-së.
Përveç rezultatit të dobët në zgjedhje, një shqetësim tjetër është paraqitur me votat e diasporës. Në votimin në ambasada, një parti politike (LVV) është votuar në mënyrë të tepërt dhe joproporcionale krahasuar me votimin në Kosovë. Në votimin me postë, disa kandidatë të listës së LDK-së janë votuar po ashtu joproporcionalisht krahasuar me votimin në Kosovë. Të dy këto dukuri, kur analizohet komuna për komuna, duket qartë se nuk janë aspak të natyrshme. Ky fenomen ka krijuar pasiguri në gjithë procesin zgjedhor. Përtej kësaj, në rastin e LDK-së është lënduar kohezioni i brendshëm i strukturave të partisë, si dhe është cenuar besimi i votuesit tradicional të LDK-së dhe integriteti që ka pasur shtëpia jonë politike për 35 vite.
Prandaj, për interes të vendit dhe të LDK-së, është e domosdoshme të reflektojmë karshi këtij rezultati zgjedhor dhe këtyre zhvillimeve, si politikisht ashtu edhe ligjërisht.
Në katër vitet e fundit, lidershipi i partisë është angazhuar në ristrukturimin e partisë dhe degëve në gjithë Kosovën. Por, në jo pak raste, kjo është bërë në mënyrë selektive, jostatutore dhe pa konsideratën e nevojshme ndaj disa specifikave të brendshme të LDK-së. Këto specifika janë unike për LDK-në, e cila si parti 35-vjeçare i ka dhënë Kosovës dy presidentë, tre kryeministra, dhjetëra ministra e zëvendësministra, qindra deputetë e zyrtarë të lartë shtetërorë.
Orientimi i lidershipit aktual për të bërë prerje të panatyrshme, si dhe distancimi nga e kaluara e lavdishme shtetformuese e LDK-së, pavarësisht sfidave e lëshimeve gjatë rrugëtimit të lidershipeve të kaluar, kanë zvetënuar besimin e elektoratit tradicional të LDK-së. Në vend të ndërtimit mbi ato arritje të LDK-së, lidershipi aktual ka krijuar distancë ndaj njerëzve dhe arritjeve të Kosovës gjatë qeverive të udhëhequra nga LDK-ja.
Personalizimi i fushatës zgjedhore, përbërja e listës, renditja e kandidatëve në listë, paraqitja dhe favorizimi medial i një liste të ngushtë të kandidatëve të LDK-së, si dhe çështje të tjera para dhe gjatë fushatës, kanë dëmtuar kohezionin e brendshëm partiak, me gjithë përpjekjet e të gjithë neve për t’i tejkaluar ato pakënaqësi. Votimi disproporcionale në diasporë e ka rënduar dhe cenuar më tutje atmosferën kolegiale dhe bashkëpunuese brenda LDK-së.
Prandaj, për të kthyer besimin e anëtarësisë dhe elektoratit të gjerë, LDK-ja ka nevojë për lidership të ri. Nuk ka rrugë tjetër për rikthimin e besimit në LDK.
LDK-ja ka nevojë për një lidership me qasje ekipore, që është gjithëpërfshirës, me orientime të qarta politike të qendrës së djathtë, që mbledh rreth vetes profesionistë dhe e rikthen LDK-në në epiqendrën e profesionistëve më të mirë të Kosovës, siç ka qenë LDK-ja.
LDK-ja ka nevojë për një lidership që punon me transparencë të plotë karshi strukturave partiake në të gjitha nivelet, që e kthen partinë në funksionimin statutar, që merr vendime kolegjiale në bazë të statutit të LDK-së (që është kushtetuta e partisë) dhe në konsultim të gjerë me strukturat qendrore dhe lokale të partisë.
LDK-ja ka nevojë për një lidership ekipor që i fashit përçarjet, që tregon kujdes ndaj të gjithë aktivistëve të rinj e të vjetër, që i bën bashkë të gjitha copat e LDK-së në të katër anët e vendit dhe në diasporë.
Një lidership i tillë është thelbësor për bashkimin, fuqizimin dhe kthimin e LDK-së në parimet e saj bazë, si parakusht për të rifituar besimin e qytetarëve për të udhëhequr me Kosovën.
Besoj fuqishëm se i gjithë lidershipi aktual i LDK-së duhet të mbështesë këtë ndryshim në LDK, duke i hapur rrugë ndryshimit, duke u bërë pjesë e lidershipit të ri. I bëj thirrje lidershipit aktual të mbështesë këtë ndryshim për interesin e LDK-së dhe të Kosovës. Të gjithë në LDK jemi të vetëdijshëm se vetëm së bashku mund ta rikthejmë besimin e madh të qytetarëve tek LDK-ja.
Prandaj, i ftoj të gjithë ta tejkalojmë veten, të lëmë anash mëritë e pakënaqësitë, dhe t’i përkushtohemi fuqizimit të LDK-së për interes të Kosovës.
Republika e Kosovës ka nevojë jetike për një LDK të fortë në rrugëtimin e saj euroatlantik, në përballimin e sfidave për forcimin e ligjshmërisë dhe rendit kushtetues, për ndërtimin e një ekonomie të fuqishme e konkurruese, për fuqizimin e marrëdhënieve ndërshqiptare në gjithë rajonin. Kosovës i duhet një LDK e fortë për të mirëmbajtur dhe kultivuar partneritetin me aleatët, në veçanti miqësinë e përhershme me ShBA-në”.
Ndryshe, sipas rezultateve të shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, LDK në zgjedhjet e 9 shkurtit, ka dalë partia e tretë, duke siguruar 20 mandate në Kuvendin e Kosovës.