Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, ka bërë të ditur se vetëm në dy muajt e parë të vitit 2025 janë regjistruar 360 raste të reja me kancer.
Kurtishi tha se ky numër krahasuar me një vit më parë është rreth 50 pacientë më shumë.
“Në vitin 2024 ne kemi regjistru rreth 2150 raste me kancer, përafërisht numër të njëjtë sa në vitin 2023. Edhe pse gjatë vitit 2023 kemi patur muaj kur ka patur trend të ngritjes ose regjistrimit të rasteve të reja më shumë kurse disa muaj të tjerë kemi patur ulje por në total kemi një numër përafërisht të njëjtë prej 2150 rastesh në të dy vitet dhe kjo është një shenjë e mirë meqenëse ka një stabilitet. Por ajo që na shqetëson ne është që këto dy muajt e parë të vitit 2025 ne kemi regjistruar 360 raste ose në klinikë janë paraqitur për herë të parë rreth 360 raste të reja me kancer të llojeve të ndryshme dhe është gati 50 pacientë më shumë se sa në vitin 2024 pra është një trend siç duket në fillim në ngritje pra kemi një rritje të këtyre numrave”, tha Kurtishi për gazeta Blic, transmeton Periskopi.
“Kështu ka qenë edhe në vitin 2024 muajt e parë, mirëpo pastaj gjatë vitit 2024 muajt tjerë kanë qenë pak më ultë dhe vjen që mund të kemi një trend që në fund vjen deri tek numri përafërisht i njëjtë. Por ne këtë do t’a krahasojmë deri në gjashtë mujorin e parë dhe aty do të kemi disa të dhëna më të sakta dhe rezultate më të mira të cilat na tregojnë se a do të kemi rritje të numrit të rasteve me kancer edhe pse në të gjitha vendet e rajonit ka ngritje të këtyre rasteve ose kemi insidencë më të lartë në krahasim me vitet paraprake si rezultat i faktorëve të ndryshëm që janë përgjegjës për këto sëmundje” deklaroi Kurtishi