Astronomja e vetme nga Kosova, Pranvera Hyseni, ka njoftuar se do të marrë pjesë në njërën nga konferencat më të mëdha të shkencës planetare në Houston, Teksas, raporton Gazeta Sinjali.
Hyseni tha se në këtë konferencë do të mblidhen mbi 2,000 shkencëtarë dhe studentë nga e gjithë bota për të ndarë kërkimet e reja shkencore.
“Sapo zbrita në Houston, Teksas, ku do të marr pjesë në njërën nga konferencat më të mëdha të shkencës planetare, e cila mbledh mbi 2,000 shkencëtarë dhe studentë nga e gjithë bota për të ndarë kërkimet e reja shkencore. Pas muajsh analizimi të familjeve të asteroideve nga të dhënat e mbledhura nëpërmjet teleskopit të NASA-s Infrared Telescope Facility, jam e lumtur që më në fund do t’i sjell hulumtimet e mia nga maja e Mauna Keas në skenë globale. Prezantimi im është të enjten në mëngjes, me titull: “Investigating The Distribution of Soluble Organic Matter Among Hydrated Asteroid Families.”, tha Hyseni në njoftimin e saj në Facebook.
Po ashtu, Hyseni ka bërë të ditur se të mërkurën do të realizojë një vizitë private në NASA’s Johnson Space Center.
“E për ta bërë këtë përvojë akoma më të veçantë, të mërkurën do të kem një vizitë private në NASA’s Johnson Space Center, sepse të përjetosh nga afër vendin ku zhvillohen misionet e fluturimeve njerëzore në hapësirë është gjithmonë një emocion i jashtëzakonshëm! Si e vetmja përfaqësuese nga Republika e Kosovës, është një nder i madh të kontribuoj në vendosjen e vendit tonë në hartën e shkencës planetare. Thellësisht mirënjohëse ndaj mentorëve të mi, familjes dhe secilit nga ju për mbështetjen tuaj në këtë rrugëtim.”, tha mes të tjerash Hyseni.