Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, i ka shprehur ngushëllime familjes për vdekjen e Faik Rexhepit, njëri prej simboleve të pathyeshme në rezistencën ndaj regjimit serb.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Faik Rexhepit, simbolit të pathyeshëm të rezistencës paqësore kundër regjimit serb”, tha Osmani.
Ajo theksoi se Faik Rexhepi mbetet një emër i skalitur në historinë tonë, një burrë që përballë dhunës dhe padrejtësisë zgjodhi të qëndrojë i palëkundur, këmbëkryq në mes të rrugës, si një akt i fuqishëm i mosdorëzimit.
“Skulptura e tij në sheshin “Zahir Pajaziti” është një dëshmi e përjetshme e guximit të tij dhe e idealit për liri. Kujtimi për të dhe mesazhi nga skulptura do të jetojnë përgjithmonë. Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe të afërmve! Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes. I përhershëm qoftë kujtimi për Faik Rexhepin!”, theksoi ajo.
Faik Rexhepi u varros sot në varrezat e Prishtinës, në lagjen “Arbëria”.
Burri nga Presheva, i cili punoi në ndërmarrjen “Feronikeli” të Drenasit në gushtin e vitit 1990-të, bashkë edhe me disa kolegë tjerë doli për ta pritur një delegacion nga Kongresi amerikan.
Aty kishte ndërhyrë brutalisht policia serbe.
Por, Faiku, u ul këmbëkryq dhe vendosi të mos e lëvizte as çerpikun ndaj dhunës së pushtetit të Sllobodan Millosheviqit.
Andaj, në nderim të vepres dhe sakrificës së tij, para disa vitesh në vendin ku edhe kishte ndodhur rezistenca, u vendos një skulpturë e tij.
Kjo vepër e artit, u punua nga Eliza Shala.