Presidenca e Kosovës ka shprehur ngushëllime pas vdekjes së Bajram Qerkinin, ish-kryetarit të shoqatës “Zëri i Prindërve” – për çka u shprehën se ai ishte zë i fuqishëm i kauzës së drejtësië.
Ngushëllimi i Presidencës:
Presidentja Osmani ngushëllon familjen për ndarjen nga jeta të Bajram Qerkinit
Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Bajram Qerkinit, njeriun që me përkushtim dhe guxim i dha zë dhimbjes së mijëra familjeve të personave të zhdukur me dhunë nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Si Kryetar i Shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajrami ishte simbol i qëndresës, i drejtësisë dhe i përkushtimit të palëkundur për ta zbardhur fatin e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës. Për më shumë se dy dekada, ai jetoi me dhimbjen për të birin e tij të zhdukur, duke mos u ndalur kurrë në kërkimin për të vërtetën.
Sot, Kosova humbi një zë të fuqishëm të kauzës për drejtësi, por trashëgimia e tij mbetet e gjallë.
Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes Qerkini, miqve dhe të gjithë atyre që mbështetën betejën e tij për të zhdukurit me dhunë.
Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes.
I përhershëm qoftë kujtimi për Bajram Qerkinin!