Lionel Messi është aty. Në ndeshjen e parë të fazës para-sezonale, ylli argjentinas i luajti 60 minuta në “Olimpico Metropolitano” më 9 shkurt dhe kontribuoi me një gol tjetër në karrierën e tij në fitoren me rezultat 5:0, para se të zëvendësohej.
Trajneri i ri i Inter Miamit, Javier Mascherano ka folur për paraqitjen e Messit, me të cilin dikur ishte bashkëlojtar tek Barcelona dhe në Kombëtaren e Argjentinës.
Ish-mesfushori defanziv dhe njëherësh qendërmbrojtësi argjentinas po mundohet t’i ruajë lojtarët nga lëndimet para fillimit të sezonit të ri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më 18 shkurt.
“E pash Leon (kundër Olimpia) si gjithmonë. Nuk e njoh asnjë version të Leos, i cili nuk është superlativ. Kalojnë vitet dhe ai vazhdon të befasojë me nivelin dhe dëshirën e tij për të garuar”, deklaroi trajneri Mascherano në konferencë për shtyp.
“Duhet të jemi të vëmendshëm në fazë përgatitore, lojtarët vijnë nga dy muaj pa luajtur dhe nuk duam të rrezikojmë. Mbi të gjitha sa i përket aspektit fizik, jo vetëm Messi, por edhe të tjerët, që s’janë mësuar të pushonin kështu”, vazhdoi trajneri i ri argjentinas.
“Kjo nuk iu ka ndodhur kurrë në karrierën e tyre. Në 20 vjet karrierë, është hera e parë që e shohin veten dy me muaj pushim. Andaj, do të ishte budallallëk që t’i vendos të gjithë të luajnë, pasi nuk ka nevojë ta bëjmë këtë. Është e qartë, kur të nisin ndeshjet me rëndësi, kjo do të ndryshojë. Sidoqoftë, ne ishim më shumë të interesuar që t’i vendosnim për të luajtur aq sa ishte e rëndësishme për ta. Mendoj se kemi arritur në ndeshjen e fundit të përgatitjeve kundër Orlandos në mënyrën më të mirë të mundshme”, përfundoi Mascherano.