-1.2 C
Pristina
Tuesday, February 4, 2025

Buy now

spot_img

Presidentes i hiqen kompetencat nga Plani i Reagimit Kombëtar

Një ndryshim i fundit në Planin e Reagimit Kombëtar nga ana e zëvendësministrit nga radhët e Partisë Guxo, Blerim Gashani, njëherësh kryesues i Grupit Punues, ia ka hequr kompetencat Presidentes Osmani, të cilat jo vetëm që i takojnë më Kushtetutë, por edhe kanë qenë çdoherë në Planet paraprake të reagimit kombëtar.

Sipas versionit paraprak të Planit të Reagimit Kombëtar, të miratuar në vitin 2010 dhe që ka qenë në fuqi deri tani, thuhet: “Këshilli i Sigurisë së Kosovës është përgjegjës për koordinimin e politikave dhe strategjive ndër-institucionale lidhur me menaxhimin e incidenteve vendore dhe ndërkombëtare, përkatësisht, siç urdhërohet nga Presidenti i Republikës së Kosovës”.

Por, sipas versionit të rishikuar, është hequr plotësisht përkufizimi dhe kompetencat e Presidentes në këtë Plan Kombëtar janë fshirë duke i larguar komplet fjalët “siç urdhërohet nga Presidenti i Republikës”, dhe duke i zëvendësuar ato me kompetenca që i kalojnë Qeverisë së Kosovës.

Kështu ka mësuar Klan Kosova nga burime, ndërsa është thënë se ky ndryshim mund të cenojë rolin kushtetues të Presidentes si udhëheqëse e Këshillit të Sigurisë në kohë të gjendjes së jashtëzakonshme si dhe komandante supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Gjithashtu, është thënë se ky ndryshim mund të ketë pasoja serioze në funksionimin e mekanizmave të sigurisë në vend, veçanërisht në situata krizash, ku rolet, kompetencat dhe përgjegjësitë e secilit autoritet dhe institucion shtetëror janë të përcaktuara qartë në Kushtetutë dhe Ligjin për Themelimin e Këshillit të Sigurisë së Kosovës.

Mësohet po ashtu se një largim i tillë i kompetencave të institucionit të Presidentit nuk është tentuar në të kaluarën përderisa Kosovën e kanë udhëhequr presidentë të tjerë.

“Poashtu, nuk është hera e parë që po tentohet të largohen kompetencat e Presidentes Osmani në fushën e sigurisë, pasi ajo vet kishte përdorë veton për të kthyer prapa në Kuvend, Ligjin për Këshillin e Sigurisë, pikërisht për shkak se ishin larguar kompetencat presidenciale në këtë fushë dhe ishte fshirë komplet kapitulli për gjendjen e jashtëzakonshme”, kanë thënë burimet e Klanit.

Siç merret vesh, tendenca për t’i larguar të gjitha kompetencat e Presidentes në fushën e sigurisë dhe inteligjencës kishte pasur edhe disa herë të tjera, por këto përpjekje ishin ndalur në komisionin parlamentar për siguri.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img