Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi e banesa, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu e ka pësuar së fundmi familja Mulaj në Prishtinë, ku persona ende të paidentifikuar kanë hyrë brenda banesës së tyre dhe kanë vjedhur një kasafortë.
Sinjali mëson se një familjar i pronarit të banesës e ka denoncuar rastin në Polici, pasi
pronari nuk ndodhet në Kosovë dhe bazuar në dëshminë e tij, në kasafortë ka qenë një armë dhe municion.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të dyshuar.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.