1.7 C
Pristina
Monday, February 3, 2025

Buy now

spot_img

Kryetarja e delegacionit serb në KiE: Kosova po troket sërish në dyert e Këshillit të Evropës në mars

Kryetarja e delegacionit serb në Këshillin e Evropës, Biljana Pantiq Pilja, tha sot se nuk do të habitej nëse Kosova sërish “troket” në derën e Këshillit të Evropës në Komitetin e ardhshëm të KE-së për Çështje Politike dhe Demokraci, që mbahet në Paris në mars.

Këtë ajo e ka thënë për mediumin “Večernje Novosti” dhe ka shpjeguar se Prishtina aktualisht është e fokusuar në zgjedhjet e 9 shkurtit, por se është e sigurt se menjëherë pas përfundimit të procesit zgjedhor do të vazhdojë të bëjë presion ndaj Këshillit të Evropës së bashku me partnerët e saj. 

Ajo shtoi se delegacioni serb në Këshillin e Evropës po përdor argumentin e së vërtetës, se “Kosova nuk është shtet, por entitet, statusi i së cilës është i rregulluar qartë me Rezolutën 1244 të OKB-së, se spastrimi etnik i popullit serb po bëhet në provincën jugore të Serbisë, dhe se represioni i regjimit të kryeministrit Kurti, po përshkallëzohet me afrimin e zgjedhjeve në Kosovë”. 

Ajo shtoi se asnjë nga tre kushtet e deklaruara në opinionin e saj nga raportuesja e PSE, Dora Bakojanis nuk është plotësuar, në radhë të parë themelimi i Asociacionit, përkatësisht respektimi i Marrëveshjes së Brukselit dhe se në Kosovë nuk ka sundim të ligjit.

“Gjithmonë janë të njëjtat argumente që tani diku janë pranuar në heshtje dhe është marrë vendim që të mos diskutohet tani kërkesa e Prishtinës për statusin e “mysafirit special””, tha ajo.

Duke folur për disponimin e anëtarëve të KE-së lidhur me këtë çështje dhe cilat janë shanset e Prishtinës për t’u bërë anëtare e KE-së, Pantiq Pilja tha se KiE aktualisht po përballet me sfida serioze, andaj çështja e Kosovës është vënë në një agjendë tjetër.

Kur është fjala për mbështetjen e shteteve që mund ta pengojnë pranimin e Kosovës në këtë organizatë, Pantiq Pilja tha se tradicionalisht Serbia gjithmonë llogarisë në mbështetjen e deputetëve të Spanjës dhe Qipros.

“Por ka vende që e kanë njohur të ashtuquajturën Kosova, megjithatë, falë politikave të mençura të presidentit Aleksandar Vuçiq, mund të llogarisë në mbështetjen e tyre. Këtu mendoj në radhë të parë për Hungarinë, por sigurisht që janë Franca dhe Italia”, tha ajo. 

Pantiq Pilja ka shprehur shpresën se me ardhjen e Donald Trump si president i SHBA-së, presioni ndaj Kosovës do të rritet dhe do të pushojnë provokimet.

Ajo shtoi se dikush duhet t’i ndalë Kurtit dhe terrorizmit të tij dhe vlerësoi se BE-ja nuk ka treguar se është në lartësinë e detyrës.

“Nuk jam i sigurt nëse kjo është për shkak se BE-ja nuk do apo nuk mundet, por është bërë e pakuptimtë që pas veprimit të njëanshëm të Kurtit dhe refuzimit të dialogut, dëgjohen thënie të njohura – “u bëjmë thirrje të dyja palëve të qëndrojnë të qetë dhe të përmbajtur dhe po monitorojnë nga afër situatën”. Është koha që dikush më në fund ta detyrojë Kurtin të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtat themelore të njeriut dhe vërehet se në këtë seancë në Strasburg po ndiqen hapat e administratës Trump”, ka theksuar ajo.

Ajo shtoi se në seancën e Strasburgut nuk është diskutuar për situatën aktuale politike në Serbi, por se temat kryesore, si gjithmonë, kanë qenë Ukraina dhe kësaj radhe procesi zgjedhor në Gjeorgji.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img