Enver Kurtalani është i interesuar të dijë se cfarë programi kanë për qytetarët, partitë politike që po garojnë në zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit në Kosovë. Por, ai dhe rreth 10.000 persona të tjerë që nuk dëgjojnë fare ose kanë vështirësi në dëgjim, kanë mbetur të painformuar për shkak të mungesës së interpretit të gjuhës së shenjave në tubime elektorale apo paraqitje të tjera ku prezantohet programi.
Personat e komunitetit të shurdhër në Kosovë vazhdojë të përballen me sfida në edukim. Jo rrallë herë ata privohen nga qasja e menjëhershme për çështje të ndryshme, meqë jo të gjitha konferencat përkthehen në gjihën e shenjave.
Kurtalani, drejtor i Shoqatës Kosovare të personave të shurdhër, thotë janë në dijeni që programet e partive politike nuk janë të njëjta por thekson se nuk e dinë se çfarë përmbajnë ato.
“Sa i përket fushatës dhe programeve të partive politike po e shohim që është një pengesë e madhe dhe mos qasje e komunitetit të shurdhër që jetojnë në Kosovë. Për sa i përket programeve, edhe komuniteti i shurdhër është shumë i interesuar të shoh se çka përfshijnë partitë politike në programet e tyre dhe të dijë rëndësinë e tyre. Përveç asaj, është shumë e drejtë elementare e jona që të kemi informacione se çka përmban programi i tyre gjatë fushatave dhe ekskluzivisht programi që do ta ndjekin përgjatë gjithë mandatit të tyre. Komuniteti jonë e dimë që programet nuk janë të njëjta por nuk e dimë përmbajtjen e tyre, a përfshihet aftësia e kufizuar e veçanërisht personat e shurdhër në programet e tyre. Është e domosdoshme dhe unë kërkoj prej të gjitha partive politike që këtë qasje ta ofrojnë përmes interpretve të gjuhës së shenjave në mënyrë që edhe komuniteti i shurdhër të jetë i informuar mbi programet e tyre”, deklaron ai.
Kurtalani tregon se ka qenë kërkesë e tyre që të ketë interpretë në fushata zgjedhore.
“Ne edhe gjatë takimeve që kemi pasur me KQZ përgjatë fushatave dhe informimeve mbi votimet, ata kanë përdorur interpret, por përveç kësaj kemi pasur dhe kërkesa dhe kemi një marrëveshje me KQZ në mënyrë që interpretët të jenë pjesë e këtyre fushatave dhe sidomos prezantimit të programeve, por që kësaj radhe nuk po shohim që partitë politike po e përmbushin këtë”, deklaron ai.
Kërkesë që komuniteti i personave të shurdhër të mos diskriminohet, bën edhe Këshilli për Liritë dhe Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.
Drejtori ekzekutiv, Behgjet Shala thotë për KosovaPress se është dashur të gjendet një mënyrë që ata të përfshihen.
“Është dashur thjesht ta gjejnë një mënyrë që këta të mos diskriminohen. Besoj që do bëhet ndonjë zgjidhje po në qoftë se nuk sigurojnë interpret, atëherë realisht kemi të bëjmë me një diskriminim apo me një mohim të kësaj kategorie për të votuar sikur të gjithë qytetarët e tjerë të Kosovës”, thotë ai..
Qytetatët e Kosovës votojnë për udhëheqjen e re më 9 shkurt, pasi të përfundojë fushata zgjedhore e nisur më 11 janar.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi thotë se KQZ-ja, përmes kampanjave, ofron informim për të gjithë qytetaret.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të ofrojë informimin për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pra për votuesit në gjuhët e ndryshme, në këtë rast edhe për këtë kategori të ndjeshme të qytetarëve. Zakonisht kjo ofrohet për kampanjat informuese të KQZ-së, pasi të përzgjedhim operatorin ekonomik i cili bën realizimin profesional të produkteve të KQZ-se, ndërkaq për çështje tjera që u takojnë subjekteve politike apo të ndryshme, natyrisht se KQZ nuk është e thirrur për të bërë komente”, deklaron Elezi.
E sipas Kurtalanit, komuniteti i të shurdhërve është i interesuar veçanërisht të dijë se a përfshijnë programet zgjedhore diçka për personat me aftësi të kufizuara në Kosovë./KP/.