Dy skuadrat e kreut të Premierligës, Nottingham (vendi i dytë) dhe Liverpool (vendi i parë) u përballen sot, në një ndeshje që përfundoi me barazim 1:1.
Lideri aktual i elitës angleze udhëtoi në City Ground për këtë përballje, duke u përballur me befasinë e këtij sezoni që po kalon në formë të jashtëzakonshme.
Skuadra e Arne Slot e dominoi tërësisht këtë takim, ndonëse ishte në disavantazh.
Nottingham Forest kaloi e para në epërsi. Ishte Wood që shënoi për 1:0 vetëm pas tetë minutave lojë, pasi pranoi asist nga Elanga.
Me këtë epërsi minimale u mbyll pjesa e parë.
Liverpooli e vazhdoi dominimin në pjesën e dytë, duke krijuar shumë raste shënimi.
Ky dominim u shpërblye, pasi Diogo Jota e konvertoi në gol asistin e Tsimikas në minutën e 66-të, për të barazuar rezultatin në 1:1.
Deri në përfundimin e ndeshjes nuk pati më gola të shënuar, me duelin e skuadrave të kreut që përfundoi me barazim.
Liverpooli ruan diferencën, duke qëndruar në vendin e parë me 47 pikë nga 20 ndeshje, ndërsa Nottingham Forest pas këtij barazimi mund ta humbasë vendin e dytë nëse Arsenali shënon fitore nesër ndaj Tottenham.