Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, ka shprehur pakënaqësi për përbërjen e komisioneve zgjedhore për numërimin e votave për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në vendvotime dhe në qendrat e numërimit të votave.
Ajo e ka akuzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) se e ka dëmtuar atë, pasi në shumë komuna, Lista Serbe nuk ka anëtarë të vet për të “kontrolluar ligjshmërinë, legjitimitetin dhe karakterin demokratik të zgjedhjeve”.
Zyrtari i kësaj partie, Igor Simiq, tha në një konferencë për media se partia e Nenad Rashiqit, Paria Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, është “favorizuar” dhe se, në disa raste, ka më shumë anëtarë në komisionet zgjedhore, edhe pse, sipas tij, në zgjedhjet e vitit 2021 kjo parti mori dukshëm më pak vota.
Si shembull për pretendimet e tij, Simiq e mori komunën e Istogut, ku në zgjedhjet e vitit 2021 Lista Serbe mori 259 vota, por nuk ka asnjë kryesues apo anëtar në komisionin zgjedhor, në qendrën komunale të numërimit të votave ose në vendet për votimin me kusht.
Simiq theksoi se Lista Serbe, edhe pse parlamentare, ka më pak anëtarë në komisionet zgjedhore, madje edhe në komunat me shumicë serbe.
“Në komunën e Mitrovicës së Veriut, Lista Serbe si parti parlamentare ka 18 përfaqësues në vendvotime, përfshirë vetëm tre kryesues nga gjithsej 24 vendvotime dhe 15 anëtarë. Si rrjedhojë, mund të llogaritni vetë – në gjashtë vende ne nuk kemi përfaqësuesit tanë, që do të thotë se në gjashtë klasa me potencialisht 6.000 votues, nuk kemi kontroll mbi procesin zgjedhor, pasi nuk kemi anëtarë të cilët mund ta mbikëqyrin procesin”, tha Simiq.
Ai gjithashtu theksoi përpjekjet e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet për të penguar Listën Serbe që të marrë pjesë në zgjedhje, duke deklaruar se kjo parti është “mburoja e mbrojtjes së interesave të serbëve dhe Serbisë në Kosovë”.