Kryeministri i vendit Albin Kurti, në mbledhjen e fundit të Qeverisë për këtë vit, ka folur edhe për problemin e furnizimit me rrymë në disa rajone të vendit, duke kërkuar nga qytetarët që racionalizojnë konsumin e energjisë elektrike, raporton Gazeta Sinjali.
Kurti ka thënë se shqetësimet për gjendjen janë përcjellë tek operatorët KOSTT dhe KEDS dhe është kërkuar përkushtim për të sanuar prishjet.
“Gjatë ditëve të fundit kemi pranuar shumë shqetësime në lidhje me furnizimin me enegji elektrike në disa komuna të Kosovës. Këto shqetësime i kemi përcjellë vazhdimisht tek operatorët e rrjetit, KOSTT dhe KEDS, dhe kemi kërkuar nga ta angazhim maksimal në disa drejtime.
Përkushtim intensiv në terren për zgjidhjen teknike të rrjetit, si të prishjeve edhe të menaxhimit të mbingarkesave, komunikim të qartë dhe të shpeshtë me qytetarët dhe finalizim me urgjencë të punimeve në nënstacionin e ri të Ferizajt që do të zgjidh problemin për këtë qytet dhe do të zgjidh problemin e Ferizaj dhe do te ketë ndikim edhe në komunat përreth.
Si çdo dimër, qytetarët i lusim që të racionalizojnë konsumin e energjisë elektrike, veçanërisht gjatë orëve gjatë orëve 18:00 deri në mesnatë, në të mirë të sigurisë të furnizimit për vete dhe të vendit tonë”, ka thënë Kurti, raporton Sinjali.