Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka bërë të ditur se ka ndaluar hyrjen e mandarinave me origjinë nga Shqipëria për shkak të gjetjes së prezencës se pesticideve mbi nivelet e lejuara.
Në njoftimin e AUV-it thuhet se nga mbrëmë janë ngritur masat e nivelit të kontrollit për ngarkesat me llojin e produktit mandarinë.
“Të gjitha kontingjentet apo ngarkesat me këtë produkt, përveç kontrollit inspektues të detajuar, merren mostra nga secila për testim laboratorik me qëllim testimi/përcaktimi të nivelit të mbetjeve në pesticide përfshihet (lloji/parametri i dyshuar për testim (MRL) në Chlorpyrifos dhe phosmet). Ngarkesat qëndrojnë në Pikë Kontrollet Kufitare deri në rezultat të analizave laboratorike”.
“Përderisa Kosova nuk është e përfshirë në lajmërimet e RASFF, masën e vendosur e bëjmë me qellim të eliminimit të dyshimeve të ngritura. Synim kryesor të punës tonë, që buron edhe nga mandati ligjor, kemi mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve konsumatorë. Deri më tani nuk ka pasur asnjë element dyshues mbi ketë produkt. Jemi në kontakt me autoritete shqiptare në shkëmbim të informacioneve mbi secilën risi që ndodh në gjetjet eventuale në produkte”.
“Mbrojtja e konsumatorëve bëhet pa dallim”, thuhet në njoftimin e AUV-së.
Gjatë ditës së djeshme, në Shqipëri u ngrit alarmi për mandarinat e prodhuara në vend, pasi BE-ja kishte ndaluar një sasi të tyre të hynte në tregun e saj. /Klankosova.tv