Trajneri i njohur kroat, Neven Plantak, ka arritur marrëveshje për ta udhëhequr Klubin Basketbollistik KEK-u, në vazhdim të stinorit, ku pritet të ketë sukses, siç e ka dëshmuar në të kaluarën duke drejtuar ekipe të shumta, raporton Gazeta Sinjali Sporti.
61-vjeçari me përvojë të madhe si trajner, ka udhëhequr edhe klubin e Trepçës në vendin tonë me të cilin kishte fituar titullin kampion dhe Kupën e Kosovës në vitin 2012.
I lindur dhe i rritur në qytetin kroat të Zarës, Plantak ka drejtuar edhe ekipet si: Sonik Puntamika, Alkar e Jazine në Kroaci, e pastaj dy ekipet boshnjake: Posusje e Siroki.
Ai po ashtu ka punuar edhe në Sllovaki me ekipet: Komarno dhe Handlova.
Plantak po ashtu ka qenë në drejtim edhe të ekipit të madh kroat Zadar në ligën kroate dhe ABA Ligë dhe për disa sezone kishte punuar me gjeneratat e reja te kjo skuadër me histori të madhe.
Kujtojmë se për një edicion ishte edhe trajner i Vllaznisë së Shkodrës, ndërsa kishte drejtuar ekipin e Rahovecit në Superligën e Kosovës dhe në sezonin e tyre historik në kompeticionin evropian – FIBA Europe Cup.