Ministria e Jashtme e Kosovës ka thënë se e ka ndjekur nga afër procesin gjyqësor ndaj Nezir Mehmetajt, i cili u dënua të premten nga Serbia me pretendimin për krime lufte gjatë vitit 1999.
Në një përgjigje për Klankosova.tv, MPJD-ja tha se për vendimin e dënimit prej 6 vjetësh, janë njoftuar shtetet e QUINT-it në Serbi dhe në Kosovë.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka alarmuar dhe njoftuar rregullisht institucionet e Bashkimit Evropian, shtetet e Kuint-it dhe organizatat ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke ngritur shqetësime të vazhdueshme rreth veprimeve arbitrare dhe destruktive të Serbisë, të cilat bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”.
MPJD-ja tutje tha se përfaqësuesit e saj kanë vizituar rregullisht Mehmetajn në burg, dhe se kanë marrë pjesë në seancat gjyqësore ndaj tij, duke parë nga afër pretendimet e pabaza të Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës.
“MPJD i bën thirrje Serbisë që të ndalë veprimet e saj arbitrare kundër qytetarëve të Kosovës dhe, njëkohësisht, kërkon nga bashkësia ndërkombëtare të ndërmarrë veprime të menjëhershme kundër këtyre veprimeve të vazhdueshme të Serbisë”.
Gjykata e Lartë e Serbisë tha se ka konstatuar se Mehmetaj në qershor të vitit 1999 kishte marrë pjesë në rrëmbimin e civilit me kombësi rome, Jelaj Ramadan, mbetjet mortore të të cilit ende nuk janë gjetur.
Sipas pretendimeve të gjykatës, bashkë me Mehmetajn kanë qenë edhe anëtarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në vendimin e gjykatës u tha po ashtu se Mehmetaj ishte pjesëtar i UÇK-së dhe në atë kohë lëvizte në fshatin Rudicë me uniformë të UÇK-së.
Ai ishte arrestuar më 3 janar 2020 në pikëkalimin kufitar në Merdarë dhe që atëherë është mbajtur në paraburgim.
Po atë vit, autoritetet gjyqësore serbe ngritën aktakuzë ndaj tij nën pretendimin për krime lufte.
Në dënim do t’i llogaritet koha e qëndruar në paraburgim dhe ky vendim i shkallës së parë të gjyqësorit serb do të apelohet