3.6 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Buy now

spot_img

Themelorja konfirmon aktakuzën ndaj Ilir Abdullahut, i akuzuar për vrasjen e Triumf Rizës

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar aktakuzën Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) ndaj Ilir Abdullahut, i cili akuzohet se në bashkërkyerje me Arben Berishën, Fitim Avdiun, Enver Sekiraqën dhe Rrahim Abdullahun, kanë vrarë ish-policin Triumf Riza.

Ilir Abdullahu në shqyrtimin fillestar më 18 shtator 2024 ishte deklaruar i pafajshëm, duke thënë se nuk e pranon një aktakuzë të ngritur me thashetheme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas mbajtjes së shqyrtimit fillestar, i akuzuari Abdullahu përmes mbrojtësit të tij, avokatit Ramë Dreshaj kanë paraqitur kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave. Por, Themelorja ka marrë vendim, me të cilin ka konfirmuar aktakuzën.

Pretendimet e mbrojtjes së të akuzuarit Abdullahu:

Në pretendimet e kërkesës së mbrojtjes, thuhet se aktakuza nuk është mbështetur në prova të cilat do të argumentonin besueshmërinë e aktakuzës dhe se nuk ka prova që do të argumentonin dyshimin e bazuar mirë se Abdullahu ka kryer vrasjen siç pretendohet.

Gjithashtu, mbrojtja ka pretenduar se provat që sipas tyre janë nxjerrë me dhunë dhe presion në procedurë parapenale nga një hetues policor, vërtetojnë pikërisht të kundërtën për çka flet aktakuza.

Sipas mbrojtjes, në dispozitivin e aktakuzës nuk dihet se a është fjala për hakmarrje apo për ndonjë motiv tjetër.

Gjithnjë sipas mbrojtjes, Abdullahu pretendohet të ketë kryer vrasjen ndaj Triumf Rizës në bashkëkryerje me Arben Berishën, Fitim Avdiun dhe Rrahim Abdullahun, por se nuk dihet se të gjithë bashkërisht apo ndonjëri prej tyre ka pasur motiv të hakmarrjes ndaj Triumf Rizës dhe se në kontest të hakmarrjes apo motiveve tjera, nuk përmendet i dënuari Enver Sekiraqa.

Po ashtu, mbrojtja ka pretenduar se në aktakuzë është e gabuar edhe ora ku pretendohet se Abdullahu ka pranuar mesazhin “parking te Grandi komshia e kish dramën” (duke aluduar për Triumf Rizën), pasi që në aktakuzë ndaj Sekiraqës mesazhi thuhet të jetë i dërguar në ora 14:06 minuta, ndërsa në atë ndaj Abdullahut në 13:02 minuta.

Provat e siguruara në procedurën hetimore gjatë vitit 2007, sipas mbrojtjes, duhet të veçohen nga shkresat e lëndës, pasi që sipas tyre janë qartazi të pambështetshme dhe nuk janë në harmoni me dispozitat ligjore të Kodit të Procedurës Penale.

Po ashtu, mbrojtja ka kërkuar që nga shkresat e lëndës të veçohen deklaratat e dëshmitarëve: Besnik Hasani, Shpend Qerimi, Abedin Canolli, Besarta Mexhuani, Kaltrina Berisha, Faton Shoshi, Mona, Zanfina dhe Ema Ismajli, deklarata e të dëmtuarvae: Adelina Ismjali dhe Emine Zeqiri.

Gjithë kjo, pasi që sipas mbrojtjes dhënia e deklaratave në procedurë parapenale hetimore ka qenë në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale, me arsyetimin se të njëjtat janë marrë nën presion, mashtrim dhe kërcënim nga ana e hetuesve asokohe.

Përgjigja e PSRK-së ndaj pretendimeve të mbrojtjes së Abdullahut:

Lidhur me këto pretendime, sipas vendimit të Gjykatës, Prokuroria Speciale ka ofruar përgjigje duke propozuar që të refuzohet kërkesa e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimit të provave.

Sipas PSRK-së, aktakuza është ngritur pas një hetimit të plotë dhe gjithëpërfshirës ku janë mbledhur prova të rëndësishme materiale dhe dëshmi të dëshmitarëve dhe se sipas Prokurorisë nga veprimet e Abdullahut manifestohet se e ka kryer veprën penale për çka akuzohet.

Gjetjet e Gjykatës Themelore në Prishtinë:

Sipas Themelores, bazuar në shkresat e lëndës dhe provat në të cilat është mbështetur aktakuza, ekzistojnë prova të mjaftueshme të cilat vërtetojnë dyshimin e bazuar mirë në këtë fazë të procedurës penale.

Gjithashtu, Gjykata sqaron se aktakuza është ngritur në harmoni me ligjin dhe e mbështetur në prova të artikulueshme, që mbështesin dyshimin e bazuar mirë se Abdullahu ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.

Në vendim të Gjykatës, thuhet se gjatë gjykimi të çështjes do të ketë në konsideratë faktet se të akuzuarit tjerë për çfarë vepra penale janë dënuar, të akuzuarit tjerë a janë shpallur fajtorë për nxitje-shtytje si dhe për elementin e bashkëkryerjes.

Dhe se sipas Gjykatës, pas shqyrtimit të të gjitha pretendimeve do të nxjerrë vendim pasi që tani për tani, shkalla e parë vlerëson se akuza ka kaluar kriterin që mbështesin dyshimin e bazuar mirë se Abdullahu ka kryer veprën penale, çka e bën të domosdoshëm kalimin në shqyrtim gjyqësor.

Në fund, thuhet se kundër këtij vendimi lejohet ankesa në afat prej 10 ditësh.

Çka thotë aktakuza e PSRK-së?

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 2 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit Ilir Abdullahu i njohur me nofkën “Liza”.

Abdullahu akuzohet se në bashkëkryerje me tani të dënuarit Arben Berisha e Fitim Avdiu, si dhe të pandehurit Enver Sekiraqa dhe Rrahim Abdullahu, si grup i organizuar nga Sekiraqa, të shtyrë nga motivi i hakmarrjes së paskrupullt, me dashje që ta privojnë nga jeta tani të ndjerin Triumf Riza, për arsye se tani i ndjeri, më 24 dhjetor 2005 në lokalin “Swiss Casino” në Prishtinë, e kishte rrahur tani të dënuarin Sekiraqa, ku ky i fundit kishte qenë i shtrirë në spital, se pas njoftimit me Adelina Ismailin, i njëjti nuk ka lejuar që t’i japë reket- të holla si më parë.

Më tej, thuhet se për arrestimin dhe rrahjen e tij në Ferizaj më 22 maj 2006 nga ana e pjesëtarëve të SHPK-së, Sekiraqa kishte akuzuar tani të ndjerin Triumf Riza se janë të shtyrë nga ana e tij, andaj janë marrë vesh që tani të ndjerin ta privojnë nga jeta.

Në aktakuzë thuhet se një kohë kanë përcjellë me vetura lëvizjet e Rizës dhe më 30 gusht 2007 derisa Arben Berisha, Enver Sekiraqa, Rrahim Abdullahu dhe Ilir Abdullahu kanë qenë në lokalin “Sekiraqa”, tani i dënuari Avdiu, përmes telefonit të tij, i ka dërguar mesazh tani të akuzuarit Abdullahu me përmbajtjen “Parking te Grandi, kojshija e kish dramen“, duke aluduar në Rizën, i cili banesën e kishte përballë lokalit “Sekiraqa”, ndërsa në atë kohë ka qenë në hotelin Grand.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pasi e kishte marrë njoftimin tani i dënuari Berisha dhe të pandehurit Ilir Abdullahu e Rrahim Abdullahu, me veturë kanë shkuar te lokali “Quins”, ku tani i dënuari Berisha, i armatosur më parë me pistoletë ka hyrë në një lokal, ndërsa i pandehuri Ilir dhe i pandehuri Rrahim kanë hyrë në një lokal tjetër, për të pritur Rizën, pasi ky i fundit pothuajse çdo ditë ishte mysafir i atij lokali.

Më pas, thuhet se i pandehuri Rrahim Abdullahu, përmes telefonit të tij, i ka dërguar mesazh tani të dënuarit Berisha, derisa ka qenë duke qëndruar ulur në tarracën e një lokali afër lokalit AMPM, me përmbajtjen “rri qatu hin mrena se mir je, ma von te thirri“, pasi që Riza ishte parë te lokali AMPM.

Në aktakuzë thuhet se në momentin kur Riza ka dalë nga lokali dhe ka qenë afër automjetit të tij, tani i dënuari Berisha me vrap ka shkuar drejt tij dhe në mënyrë dinake, kur Riza nuk ka pritur kurrfarë sulmi, me shpinë të kthyer nga ai, nga një distancë prej 5 metrash, me pistoletë ka shtënë 11 herë me tri rafale të shkurtra, duke e goditur me 2 plumba në shpinë, ku plumbat, për shkak të veprimit dinamik, kanë depërtuar nëpër aortë, zemër dhe mushkëri, nga të cilat lëndime ai ka vdekur, ndërsa me një plumb është goditur në kofshën e këmbës së djathtë.

Me këtë veprim, i akuzuari Ilir Abdullahu, në bashkëkryerje me të dënuarit Arben Berisha e Fitim Avdiu, dhe të pandehurit Enver Sekiraqa dhe Rrahim Abdullahu, akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Vrasjes së rëndë’, nga neni 147, paragrafi 1, nënparagrafët 3 dhe 9, lidhur me nenin 23 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës.

Ilir Abdullahu, i njohur me nofkën “Liza”, u arrestua më 16 korrik 2023, pasi për vite me radhë kërkohej si i dyshuar për vrasjen e Triumf Rizës.

Për Triumf Rizën është duke u gjykuar edhe Enver Sekiraqa, i akuzuar për nxitje të vrasjes së policit. Sekiraqa më 3 maj 2024 u dënua me 25 vjet burgim. I njëjti gjendet në arrati.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img