-0.9 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Buy now

spot_img

Aktakuza për pengim të drejtësisë: Thaçi, Smakaj, Kilaj e Fazliu dalin nesër para Speciales – Kuçi të hënën

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliut, do ta kenë nesër paraqitjen e parë lidhur me aktakuzën që iu konfirmua mbrëmë për ndikim mbi dëshmitarët. Ndërkohë, ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, do ta ketë paraqitjen e parë të hënën.

Në njoftimin e Gjykatës Speciale thuhet se seanca do të fillojë me paraqitjen e Thaçit.

“Në përputhje me Rregulloren e Procedurës dhe të Provave të DHSK-së,  seancat e paraqitjes së parë për katër nga të akuzuarit në këtë çështje gjyqësore – z. Thaçi, z. Smakaj, z. Fazliu dhe z. Kilaj – janë caktuar për të dielën, 8 dhjetor 2024, duke filluar nga ora 09:30, me paraqitjen e parë të z. Thaçi. Seanca e paraqitjes së parë të Hajredin Kuçit është caktuar për të hënën, 9 dhjetor 2024, në orën 10:00”, thuhet në njoftim.

Seancat e paraqitjes së parë do të jenë publike dhe mund të ndiqen në gjuhët shqipe, anglishte ose serbishte përmes faqes së transmetimit në faqen e internetit të DHSK-së, me një vonesë prej 10 minutash, ose nga galeria për publikun në selinë e Gjykatës.

Në aktakuzën e re, Thaçi ngarkohet me tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi; katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Thaçi – i cili është duke u gjykuar nga kjo gjykatë në një rast të ndarë kundër ish-krerëve të UÇK-së për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit – akuzohet se bashkërendoi “tri grupe të veçanta” së bashku me Smakajn, Kilajn, Kuçin dhe Fazliun për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të prokurorisë në rastin kundër tij dhe të tjerëve për krime lufte.

“Së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit, z. Thaçi u dha zotit Smakaj, zotit Kilaj, zotit Fazliu dhe zotit Kuçi informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarë të ZPS-së, udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë”, thuhet në aktakuzë.

Aktakuza erdhi një ditë pas aksionit të ZPS’së, ku u arrestuan Smakaj, Fazliu dhe Kilaj. Ata dërguan në ndërtesën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë një ditë më vonë, tha gjykata.

Gjykata shtoi se Hajredin Kuçit iu dorëzua aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake, në bazë të aktakuzës së konfirmuar.

Fazliu, Smakaj dhe Kilaj akuzohen për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, dhe për mosbindje ndaj gjykatës.

Kuçi përballet me dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img