1.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Vëllai i Nezir Mehmetajt reagon pas dënimit nga Gjykata e Serbisë: Nuk ka asnjë fakt

Nezir Mehmetaj, i ndaluar për gati 5 vite nga Serbia si i dyshuar për krime lufte, është dënuar me 6 vjet burg.

Gjykata e Lartë e Serbisë tha se ka konstatuar se Mehmetaj në qershor të vitit 1999 kishte marrë pjesë në rrëmbimin e civilit me kombësi rome, Jelaj Ramadan, mbetjet mortore të të cilit ende nuk janë gjetur.

Sipas pretendimeve të gjykatës, bashkë me Mehmetajn kanë qenë edhe anëtarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në vendimin e gjykatës u tha po ashtu se Mehmetaj ishte pjesëtar i UÇK-së dhe në atë kohë lëvizte në fshatin Rudicë me uniformë të UÇK-së, raporton REL.

Megjithatë, të gjitha këto pretendime po i mohon familja e Nezir Mehmetajt.

Vëllai i Nezirit, Valoni, ka thënë për Nacionalen se nuk ka asnjë fakt se vëllai i tij ka qenë i përfshirë në krime të luftës.

“Ky lajm për familjen është jo i mirëpritur pasi që për afro 5 vite rresht nuk ka pasur as edhe një fakt të vetëm që e ndërlidh vëllaun me akuzën e bërë ndaj tij, por është indikative qe ky gjykim ka qënë i tejzgjatur, ka filluar ne mars 2021 dhe ka përfunduar me 6 dhjetor 2024, pra më shumë se tri vite e gjysmë. Por shpresojmë se drejtësia në shtetin e Serbisë do e sheh të arsyeshme ta lirojë për një afat sa më të shkurtër Nezirin duke llogaritur kohën e mbajtjes dhe procedurat tjera të vazhdojnë më tutje”, ka thënë Valoni për Nacionalen.

Ai ka bërë të ditur se informatën e kanë marrë nga avokatët dhe nga zyra ndërlidhëse e Kosovës në Serbi.

Në aktakuzën ndaj Mehmetajt thuhej se në mes të qershorit të vitit 1999, ai kishte marrë pjesë në vrasjen e pesë anëtarëve të familjes Dashiq dhe në fund të qershorit, kishte marrë pjesë në vrasjen e Jelaj Ramadanit dhe Zorka Shijakoviqit.
Gjykata e Lartë e Beogradit tha se nuk është dëshmuar pjesëmarrja e tij në vrasjen e anëtarëve të familjes Dashiq dhe Zorka Shijakoviqit, si dhe nuk është dëshmuar që Mehmetaj, në korrik të vitit 1999, kishte marrë pjesë në plaçkitjen dhe djegien e dhjetë shtëpive në fshat që i përkisnin joshqiptarëve.

Avokati i Nezir Mehmetajt, Milliq Konstantinoviq, tha për Radion Evropa e Lirë se do ta apelojë vendimin, pasi, sipas tij, gjykata nuk ka prova relevante për asnjë pikë të aktakuzës.

Për këtë dënim ka reaguar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. I njëjti ka kërkuar reagim ndërkombëtar.

“Sot, pas një arrestimi në vitin 2020, pas një akuzimi dhe procesi të shpikur e arbitrar ndaj qytetarit tonë Nezir Mehmetaj, gjykata në Serbi e ka dënuar atë me 6 vite burg. Mendësia e vjetër e Serbisë që ka kryer gjenocid në Kosovë nuk mund të prodhojë asgjë të re veçse fshehjes së krimeve në njërën anë dhe shpikjes së tyre në anën tjetër. E dënoj fuqishëm këtë padrejtësi dhe kërkoj nga bashkësia ndërkombëtare të rrisë presionin ndaj Serbisë, me zë të qartë kundër kësaj padrejtësie dhe në mbështetje të të drejtave të njeriut”, ka shkruar Konjufca.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img