1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

Uji në kufirin e tensionuar: A mund t’ia ndërrojë Serbia kahun Ibrit?

Ndonëse teknikisht i mundur, ndryshimi i kahut të lumit Ibër nga Serbia në dëm të Kosovës do të shkaktonte shkelje të ligjit dhe konventave ndërkombëtare, thonë ekspertët. Megjithatë, sipas tyre, nevojiten garanci për sigurinë e kësaj rrjedhe, si dhe alternativa për të reduktuar varësinë e madhe nga ky damar i rrezikuar.

Shpërthimi që dëmtoi kanalin e ujit Ibër-Lepenc, në veri të Kosovës, për çka Kosova fajësoi Serbinë, nisi një diskutim për sigurinë e këtij furnizimi ujor vital për jetën e shumë kosovarëve.

Sulmi mund të rrezikonte edhe furnizimin me energji në Kosovë, me ç’rast Qeveria e Kosovës mori vendim që të gjendet zgjidhje alternative për furnizimin me ujë të termocentraleve.

Për incidentin e 29 nëntorit, si pasojë e të cilit nga ajo ditë po vazhdojnë reduktimet e ujit të pijes për një pjesë të Kosovës, pati disa të arrestuar dhe bastisje në veri të vendit.

Në anën tjetër, Serbia e mohoi përfshirjen dhe tha se do të bëjë edhe vetë hetime për ngjarjen.

Në një deklaratë pas shpërthimit, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, madje tha se që nga viti 1985 “ekziston një ide për të ndryshuar rrjedhën” e lumit Ibër për nevojat e popullatës në qytezat afër liqenit, që si pasojë do ta thante Ujmanin, nga i cili furnizohet Kosova. 

Sipas tij, kjo mund të ndodhë “me një vendim të Qeverisë serbe”. 

Megjithatë, ai shtoi se vetë ka qenë kundër kësaj ideje kur iu propozua, madje edhe kur ishte kryeministër, duke theksuar se nuk dëshironte që “natyra të përdoret për nevoja politike”.

Sipas zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, “Serbia nuk ka të drejtë as të shfrytëzojë lumin Ibër në një mënyrë që e dëmton rëndë Kosovën, lëre më që ta shkaktojë qëllimisht këtë dëm, përmes ndryshimit të rrjedhës”.

Sipas tij, adresimi i Vuçiqit ku është përmendur ideja e ndërrimit të rrjedhës së lumit “është edhe një indikacion që ata janë prapa sulmit në Varragë të Zubin Potokut”.

“Pra, në vend se ta devijojnë rrjedhën e Ibrit, ia vunë eksplozivin kanalit Ibër-Lepenc”, thotë Kryeziu.

Lumi Ibër, i gjatë rreth 270 kilometra, buron në Mal të Zi, kalon nëpër territorin e Serbisë, hyn në Kosovë me një gjatësi të shtratit prej 82 kilometrash dhe më pas kthehet në Serbi.

Ibri më pas mbush liqenin artificial të Ujmanit, i cili po ashtu shtrihet në kufirin Kosovë-Serbi, me dy të tretat e tij në anën e Kosovës.

Ai furnizon me ujë shtatë komuna, përdoret për ujitje si dhe ftohjen e termocentraleve në Obiliq, që prodhojnë shumicën e energjisë elektrike në vend.

Sipas Qeverisë së Kosovës, nëse sulmi në kanalin e Ibër- Lepencit do të arrinte qëllimin e tij “pasojat do të ishin marramendëse” dhe në formë zinxhiri do të shkaktonin mungesë të ujit, të energjisë elektrike, ngrohjes e deri te telekomunikimi.

Lumi Ibër, i cili është furnizues i rëndësishëm i ujit në Kosovë, buron nga Mali i Zi, kalon nëpër territorin e Serbisë, hyn në Kosovë me një gjatësi shtrati prej 82 kilometrash dhe prapë kthehet në Serbi, raporton Radio Evropa e Lirë. 

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img