Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka ngushëlluar familjen, të afërmit dhe komunitetin e gazetarëve për ndarjen e parakohshme nga jeta të gazetarit, Zijadin Gashi.
Ajo thotë se lajmin për vdekjen e tij e mori me pikëllim të thellë.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të Zijadin Gashit, gazetarit të përkushtuar, i cili tërë jetën ia kushtoi punës në media. Karriera e gjatë dhe kontributi i tij në median e shkruar, elektronike dhe televizive u karakterizuan nga integriteti dhe angazhimi i palëkundur për informim të publikut, saktë dhe në mënyrë profesionale. Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, të afërmve dhe komunitetit të gazetarëve! Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes. I përhershëm qoftë kujtimi për Zijadin Gashi”, ka thënë e para e vendit.
Zijadin Gashi ndërroi jetë sot. Lajmin e ka bërë të ditur vajza e tij përmes një njoftimi në Facebook, ku tregon se gazetari do të varroset sot./Klankosova.tv.