0.1 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Buy now

spot_img

“Radoiçiq, thelbi i problemit të sulmeve në Kosovë”, çka deklaroi Kurti në konferencën ku iu drejtua ndërkombëtarëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare t’i bëjë trysni Serbisë ta dorëzojë tek autoritetet kosovare Millan Radoiçiqin, duke thënë se politikani dhe biznesmeni serb është “arsyeja thelbësore” e sulmeve që kanë ndodhur dhe mund të ndodhin në të ardhmen në Kosovë.

Duke folur në një konferencë për media të dielën në Prishtinë pas sulmit ndaj kanalit të Ibër-Lepencit në veri të Kosovës dy ditë më parë, Kurti tha se “problemi kryesor për bindjen time është fakti që Millan Radoiçiqi nuk dorëzohet nga autoritetet serbe te ato të Kosovës”.

Autoritetet kosovare kanë lëshuar fletarrest dhe kanë ngritur aktakuzë ndaj Radoiçiqit, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i cili e mori përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë, në shtator të vitit 2023.

Kurti tha se, sikur Radoiçiq të mos lihej i lirë në Serbi, do të “binin gjasa në mënyrë drastike që të realizoheshin të gjitha këto sulme që kanë ndodhur dhe sulme në të ardhmen që ata i planifikojnë”.

“Ne kërkojmë prej faktorëve ndërkombëtarë t’i bëjnë trysni Beogradit ta dorëzojnë kryekriminelin Radoiçiq tek institucionet e Kosovës. Nëse Serbia ka dyshim se Radoiçiq nuk do të kishte gjykim të drejtë në Kosovë, ne e kemi EULEX-in, ai i vëzhgon të gjitha rastet në Kosovë. Prandaj ai duhet t’i dorëzohet Kosovës”, tha ai.

Sulmi ndaj Ibër-Lepencit ishte i treti brenda pak ditëve në veri të vendit, pas shpërthimeve që ndodhën në një stacion policor dhe në ndërtesën e Komunës në Zveçan.

Shpërthimi ndaj kanalit nuk shkaktoi viktima, por e krijoi një çarje të madhe në murin anësor të tij, duke shkaktuar rrjedhje të ujit jashtë kanalit, duke bërë që disa pjesë të vendit të përballeshin me reduktime uji.

Kosova e ka fajësuar Serbinë për këtë sulm, gjë që është mohuar nga Serbia.

Furnizimi i rregullt me ujë u rikthye pothuajse një ditë pas shpërthimit, ndërsa furnizimi i Korporatës Energjetike të Kosovës me ujë për ftohjen e termoelektranave të saj nuk u ndikua.

Policia e Kosovës i arrestoi tetë të dyshuar dhe konfiskoi armatim gjatë një aksioni të gjerë në veri të Kosovës, në lidhje me këtë sulm që u cilësua se ishte më i rëndi ndaj infrastrukturës kritike të vendit që nga paslufta.

Kurti tha se sulmi i së premtes ndaj kanalit të ujit në veri ndërlidhet me sulmet që Rusia është duke i kryer në muajt e fundit kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës.

“Qëllimi ka qenë që një pjesë e madhe e vendit të mbetej pa ujë, në terr, në të ftohtë dhe pa komunikim. Ky sulm duket se ka ndërlidhje me sulmet masive të Federatës Ruse ndaj Ukrainës”, tha Kurti.

Sulmi ndaj kanalit të ujit në veri u dënua nga bashkësia ndërkombëtare.

Bashkimi Evropian dhe Gjermania thanë se ai ishte një akt terrorist.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, tha se Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë mbështetje në gjetjen dhe ndëshkimin e kryerësve të një sulmi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, raporton REL.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img