Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Ai ka thënë se liria e popullit i ka rrënjët në Prekaz, ndërsa ka kujtuar edhe të rënët e familjes Jashari.
“Edhe sot në shënim të festave tona kombëtare jemi këtu në Prekazin heroik aty ku i ka rrënjët historia e luftës çlirimtare, por ku i ka rrënjët edhe liria e popullit tonë. Për të nderuar kontributin e jashtëzakonshëm e titanik të familjes Jashari në krye me komandantin Adem Jashari por edhe për të uruar gjithë shqiptarët kudo që janë për festen e flamurit. Për 28 nëntorin e Krujës, 28 nëntorin e Vlorës, 28 nëntorin e Prekazit, por edhe për të përkujtuar daljen publike në këtë datë të UÇK”, ka potencuar Krasniqi.
Tutje, ai ka përmendur edhe ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë.
“Normalisht është një festë e cila na emocionon sepse nuk i kemi në mesin tonë themeluesit dhe udhëheqësit e UÇK-së Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe shokët e tyre të cilët po i zhvillojnë edhe sot e kësaj dite besoj shumë betejën e fundit për drejtësinë dhe lavdin e luftës çlirimtare”, ka thënë mes tjerash kryetari i PDK-së.