Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka pritur në takim kryekuvendarin e Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.
Në takim, siç bën të ditur Krasniqi përmes një postimi në Facebook i ka shprehur Gashit shqetësimin lidhur me arrestimin e veteranëve të UÇK-së në Maqedoninë e Veriut.
“Në këtë takim, shpreha shqetësimin lidhur me arrestimin e veteranëve të UÇK-së në Maqedoninë e Veriut – veprim ky i papranueshëm që cenon raportet tona ndërshtetërore, me ç’rast kërkova që faktori shqiptar atje të angazhohet fuqishëm për ndaljen e këtyre përndjekjeve”.
“PDK mbetet e përkushtuar në ruajtjen e raporteve të mira dhe fqinjësore me Maqedoninë e Veriut, sidomos me spektrin politik shqiptar në bashkërendimin e politikave të përbashkëta në të mirë të fuqizimit të shqiptarëve në rajon”.
“Kryetarit Gashi i urova punë të mbarë, që si kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, të ndihmojë në realizimin e ambicieve dhe të drejtave të qytetarëve shqiptarë atje”, shkruan ai, transmeton Klankosova.tv.