Ministri I Bujqësisë, Faton Peci, ka publikuar vendimin e Ministrisë së Bujqësisë të vitit 2020 kur Kooperativës Bujqësore “Krusha” i ishte refuzuar aplikimi për grant.
Peci, përmes një postimi në Facebook, thotë se edhe atëherë ka pasur media të lira, por refuzimi i aplikimit të KB “Krusha” nuk kishte përbërë lajm.
“Siç edhe e kam paralajmëruar, ja dëshmia që në vitin 2019, në kohën e koalicionit PAN dhe Qeverisë Haradinaj, i refuzohet aplikimi për grant Kooperativës Bujqësore “KRUSHA””, ka shkruar Peci.
Tutje ai shkruan se “edhe në vitin 2019 kemi pasur media të lira, por që asnjëherë ky refuzim s’ka përbërë lajm!”.
“E qe besa as deputeten Time Kadrijaj nuk e kemi parë të protestojë në Kuvend”, ka shkruar Peci, duke ia bashkangjitur vendimin për refuzim të projektit të KB “Krusha”.
Ndryshe, KB “Krusha” dhe Fahrije Hoti –drejtoreshë e kësaj kooperative, kanë thirrur për të hënën (25 nëntor) konferencë për media, në lidhje me deklaratat e Ministrit të Bujqësisë, Faton Peci.