Punëtorët e Ndërmarrjes Publike Rajonale KRM “Pastrimi” kanë zhvilluar protestë para Komunës së Prishtinës ditën e djeshme me parulla si “Përparim, ndale tenderin 16 milionë, jo falimentim për pastrim”.
Keqmenaxhimi tek KRM “Pastrimi”/ Ndërmarrja në protestë por konkurset për punësime në administratë nuk ndalen
Por, punonjësit akuzojnë edhe për keqmenaxhim në ndërmarrje e cila udhëhiqet nga PDK-ja, raporton PrishtinaPress.
Disa punonjës të kompanisë KRM Pastrimi kanë ngritur akuza të rënda për menaxhimin jo të mirë në ndërmarrje.
“Kryeshefi i Pastrimit hap konkurse e kanë bo si Postë, kurse ne nuk kemi nevojë për punonjës në administratë, sepse jemi në prag falimentimi”.
Sipas disa puntorëve, Kryeshefi Ekzekutiv i KRM Pastrimi, Petrit Reçica ka marrë kamiona me qera dhe po i ndan paratë me qiramarrësit.
Punonjësit e shqetësuar thonë se kjo veprimtari ka çuar në shpërndarje të pasurive të kompanisë dhe qëndrueshmërisë financiare për interesat private të disa investitorëve të cilët, sipas tyre, kanë marrë përsipër menaxhimin e KRM Pastrimi pas Luftës.
Një tjetër shqetësim i ngritur është mungesa e rritjeve të pagave për punonjësit, pavarësisht premtimeve nga shteti për përmirësim të kushteve të punës.
Ata thonë se nuk kanë përfituar nga ndihmat dhe rritjet, ndërsa disa individë që shihen si investitorë janë përfitues të parave publike dhe mund të kenë shkelur ligjin duke u pasuruar me fonde që ishin destinuar për përmirësimin e kushteve të punës.
Po ashtu, punonjësit bëjnë thirrje për një hetim të thelluar lidhur me shpërndarjen e parave të ndihmës gjatë periudhës së pandemisë, ku thuhet se fondet janë ndarë, por shumë prej punonjësve nuk kanë mundur të përfitojnë nga ato.
Ata akuzojnë drejtuesit për përfitime të jashtëligjshme, duke thënë se shteti ka mbyllur sytë ndaj abuzimeve që ndodhin në këtë kompani.
Ky mesazh është vetëm një nga shumë akuza që janë ngritur ndaj menaxhimit të KRM Pastrimi, ndërsa punonjësit kërkojnë transparencë dhe drejtësi për të gjitha këto keqtrajtime që po ndodhin brenda kompanisë./PrishtinaPress/